Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për sulme me dronë gjatë natës
Guvernatori i Shën Petersburgut, Aleksandr Drozdenko tha në një deklaratë në Telegram se një sulm ukrainas me dronë shkaktoi dëme në një zonë industriale
Stamboll
Rusia dhe Ukraina akuzuan sot njëra-tjetrën për sulme me dronë gjatë natës, të cilat kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë, transmeton Anadolu.
Guvernatori i Shën Petersburgut, Aleksandr Drozdenko tha në një deklaratë në Telegram se një sulm ukrainas me dronë shkaktoi dëme në një zonë industriale në rajonin veriperëndimor në distriktin Kirishsky. Ai tha se nuk u raportuan viktima bazuar në informacionet paraprake. Drozdenko pretendon se 21 dronë ukrainas u zmbrapsën mbi rajonin veriperëndimor.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi veçmas se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi 125 dronë ukrainas mbi 13 rajone dhe Detin e Zi si dhe Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014.
Ukraina raportoi sulme me dronë në vend, duke pretenduar në një deklaratë të Forcave Ajrore në Telegram se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 130 nga 153 dronë të lëshuar nga Rusia gjatë natës.
Zëvendëskryeministri Oleksii Kuleba tha se sulmet ruse gjatë natës dëmtuan infrastrukturën hekurudhore dhe portuale dhe se dronët shkaktuan dëme në lokomotivat në një strukturë mirëmbajtjeje në rajonin qendror Kirovohrad.
"Në jug të Ukrainës u regjistruan goditje në objektet e magazinimit dhe portet. Ndërtesat e operatorëve të portit dhe stacioni detar u dëmtuan", shtoi Kuleba.
Guvernatori i Dnipropetrovskut, Oleksandr Hanzha tha se goditjet në qytetin e Kyrvyi Rih dëmtuan një strukturë infrastrukturore, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ai theksoi se një ndërtesë shumëkatëshe u dëmtua në qytetin e Dnipros. "Ka viktima. Pasojat po sqarohen", tha ai.
Të dyja vendet ende nuk kanë komentuar mbi pretendimet e njëra-tjetrës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
