Rusia dhe SHBA-ja zhvillojnë bisedime “konstruktive” përpara samitit Putin-Trump në Budapest
Ministri i Jashtëm rus dhe homologu amerikan zhvilluan bisedë telefonike; ky i fundit ka thënë se bisedimet e ardhshme janë një mundësi për Moskën dhe Washingtonin që të bashkëpunojnë për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për luftën në Ukrainë

Stamboll
Ministri i Jashtëm rus dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së zhvilluan atë që Moska e përshkroi si bisedë “konstruktive” mes përgatitjeve përpara një samiti midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, transmeton Anadolu.
Putin dhe Trump diskutuan mundësinë e mbajtjes së një takimi tjetër ballë për ballë gjatë një telefonate të enjten dhe ranë dakord që përfaqësuesit nga të dyja palët të fillojnë menjëherë përgatitjet për një samit, me Budapestin si vend të mundshëm, sipas ndihmësit të presidentit rus Yuri Ushakov.
Dy udhëheqësit u takuan për herë të fundit në Alaskë më 15 gusht, duke shënuar takimin e parë midis presidentëve të dy vendeve që nga fillimi i luftës në Ukrainë rreth tre vjet e gjysmë më parë.
Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë se ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio zhvilluan një bisedë “konstruktive” mbi “hapat e mundshëm konkretë për të zbatuar marrëveshjet e arritura” gjatë telefonatës Putin-Trump të javës së kaluar.
Ministria nuk dha detaje të mëtejshme në lidhje me bisedën, ndërsa Departamenti i Shtetit tha në një deklaratë të mëvonshme se dy diplomatët folën për të “diskutuar hapat e ardhshëm pas telefonatës së 16 tetorit”.
“Sekretari theksoi rëndësinë e angazhimeve të ardhshme si një mundësi për Moskën dhe Washingtonin për të bashkëpunuar në avancimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme të luftës Rusi-Ukrainë, në përputhje me vizionin e presidentit Trump”, tha zëdhënësi i Departamentit Tommy Pigott.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.