Rusi, kapet tigri siberian pasi shqetësoi banorët lokalë
Së fundmi, më 6 janar, tigri sulmoi dhe vrau një kalë, ndërsa për shkak se përbënte rrezik për sigurinë, u kap pasi u qetësua me anestezi
Vladivostok
Në rrethin Nadezhdinsky të rajonit Primorski të Rusisë, një tigër siberian (tigër i Amurit), i cili kishte zbritur në zonat e banuara duke shkaktuar panik, u kap në një operacion të kryer nga ekipe të specializuara, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të qeverisë rajonale, tigri, i klasifikuar si "konfliktual" (që ka pasur kontakt me njerëzit dhe ka shfaqur agresivitet), prej kohësh shqetësonte banorët e zonës.
Së fundmi, më 6 janar, tigri sulmoi dhe vrau një kalë, ndërsa për shkak se përbënte rrezik për sigurinë, u kap pasi u qetësua me anestezi.
Autoritetet bënë të ditur se tigri i kapur u dërgua në një qendër rehabilitimi për t'iu nënshtruar kontrollit shëndetësor dhe për të përcaktuar shkaqet e çrregullimeve në sjellje.
Pas ekzaminimeve të kryera në qendër, u raportua se tigri u rikthye në natyrë.
Në lindjen e largët të Rusisë, këta tigra, të cilët janë ndër speciet e rrezikuara nga zhdukja në nivel botëror, po përballen me zvogëlimin e habitateve të tyre natyrore, çka ka bërë që raste të ngjashme të shënohen më shpesh kohët e fundit.
