Rusi, humbin jetën dy persona në një sulm me dron në rajonin e Moskës
Guvernatori i Moskës, Andrei Vorobyov thotë se mbrojtja ajrore rrëzoi katër dronë gjatë natës
Stamboll
Të paktën dy persona u vranë pasi një sulm me dron i vuri flakën një shtëpie private gjatë natës në rajonin e Moskës, transmeton Anadolu.
"Fatkeqësisht, një tragjedi ndodhi në Voskresensk, 2 persona humbën jetën në një zjarr në një shtëpi private", tha guvernatori i Moskës, Andrei Vorobyov në Telegram, duke u shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
Ai tha se njësitë ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan katër dronë mbi Voskresensk dhe Kolomna, duke shtuar se disa ndërtesa në Voskresensk pësuan dëme në dritare dhe fasada, ndërsa ndriçimi rrugor u ndërpre.
Shërbimet e emergjencës u dërguan në vendngjarje, tha Vorobyov duke shtuar se banorëve të prekur do t'u ofrohet strehim dhe ndihmë e përkohshme.
Sulmet me dronë në rajonet ruse pranë kryeqytetit dhe zonave kufitare janë rritur në muajt e fundit, me Moskën që pretendon se forcat ukrainase qëndrojnë pas sulmeve. Ukraina nuk i është përgjigjur ende pretendimeve.
