Bota

Rubio sinjalizon “arritje të mëdha” të mundshme për t’i dhënë fund luftës në Gaza “shumë shpejt”

“Kam një nivel optimizmi se mund të kemi arritje të mëdha këtu shumë shpejt, shpresojmë në një fund të kësaj dhe lirimin e të gjitha pengjeve”, tha Rubio

Rabia İclal Turan  | 21.05.2025 - Përdıtësım : 22.05.2025
Rubio sinjalizon “arritje të mëdha” të mundshme për t’i dhënë fund luftës në Gaza “shumë shpejt”

Washington DC

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar se “arritjet e mëdha” mund të jenë të afërta për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe për të siguruar lirimin e pengjeve, transmeton Anadolu.

“Kam një nivel optimizmi se mund të kemi arritje të mëdha këtu shumë shpejt, shpresojmë në një fund të kësaj dhe lirimin e të gjitha pengjeve”, tha Rubio para ligjvënësve gjatë një seance dëgjimore mbi kërkesën e Departamentit të Shtetit për buxhetin e vitit 2026 para Nënkomitetit të Buxhetit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Rubio paralajmëroi se përpjekjet e kaluara kanë ngritur shpresa të ngjashme, por nuk u materializuan.

“Jam ndjerë kështu tani të paktën katër herë të ndara në dy muajt e fundit dhe për një arsye ose një tjetër, në minutën e fundit, nuk ndodhi. Dhe kështu, nuk dua të zhgënjehem përsëri për këtë”, tha ai.

“Por dua që ju ta dini se po bëhen përpjekje të vazhdueshme si për të ofruar më shumë ndihmë humanitare ashtu edhe për t’i dhënë fund këtij konflikti”, shtoi ai.

Ai po ashtu theksoi se duan të shohin që “kjo të marrë fund” dhe të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi. Ai tha se për këtë ata janë “të përkushtuar”.

Sekretari amerikan gjithashtu tha se SHBA-ja po punon ngushtë me Izraelin për të siguruar që ndihma humanitare shtesë të arrijë në Gaza.

Izraeli braktisi një armëpushim me Hamasin në muajin mars, dy muaj pasi ai hyri në fuqi dhe ditët e fundit ka intensifikuar ofensivën brutale në Gaza, duke zgjeruar operacionet tokësore dhe duke kryer sulme ajrore masive. Fushata ushtarake, e cila filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, ka vrarë të paktën 53.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Që nga 2 marsi, Izraeli i ka mbajtur të mbyllura kalimet e Gazës për ndihma ushqimore, mjekësore dhe humanitare, duke përkeqësuar krizën humanitare tashmë të rëndë në enklavë. Të hënën u lejua një sasi e kufizuar ndihme, një dërgesë që OKB-ja e përshkroi si "një pikë në oqean".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.