Rubio: SHBA-ja është në luftë kundër trafikantëve të drogës, jo kundër Venezuelës
“Jemi në luftë kundër organizatave të trafikimit të drogës. Nuk është luftë kundër Venezuelës”, tha ai
Washington DC
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se operacioni i fundit ushtarak amerikan në Venezuelë nuk përbën një luftë kundër vendit, por në vend të kësaj sipas tij Washingtoni po synon organizatat e trafikimit të drogës, transmeton Anadolu.
I pyetur nëse SHBA-ja tani është në luftë me Venezuelën, Rubio për NBC News tha se “nuk ka luftë”.
“Jemi në luftë kundër organizatave të trafikimit të drogës. Nuk është luftë kundër Venezuelës”, tha ai.
Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi presidenti Donald Trump tha se veprimi ushtarak i SHBA-së të shtunën rezultoi në arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, duke u zotuar se SHBA-ja do të ushtrojë kontroll amerikan mbi vendin përkohësisht, me trupa amerikane nëse do të jetë e nevojshme.
Trump e akuzoi Maduron se ka mbikëqyrur dërgesa droge drejt SHBA-së dhe se ka mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme përmes mashtrimeve zgjedhore. Maduro, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në një qendër ndalimi në New York në pritje të akuzave për drogë, i ka hedhur poshtë këto akuza, ndërsa zyrtarët në Karakas kanë kërkuar lirimin e tij.
Rubio tha gjithashtu se SHBA-ja do të vazhdojë të rezervojë të drejtën për të ndërmarrë sulme ndaj anijeve që dyshohet se transportojnë drogë drejt brigjeve amerikane.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
