Bota

Rubio: SHBA-ja mund të rishqyrtojë marrëdhënien e saj me NATO-n pas luftës me Iranin

"Pas përfundimit të këtij konflikti, do të na duhet ta rishqyrtojmë atë marrëdhënie. Do të na duhet të rishqyrtojmë vlerën e NATO-s dhe asaj aleance për vendin tonë", tha sekretari Rubio

Rabia İclal Turan  | 01.04.2026 - Përdıtësım : 01.04.2026
Rubio: SHBA-ja mund të rishqyrtojë marrëdhënien e saj me NATO-n pas luftës me Iranin

Washington

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio tha të martën se Washingtoni mund të rishqyrtojë vlerën e aleancës së NATO-s pas luftës në Iran, duke përmendur frustrimin në rritje me ngurrimin e aleatëve për të mbështetur fushatën ushtarake amerikane, transmeton Anadolu.

"Pas përfundimit të këtij konflikti, do të na duhet ta rishqyrtojmë atë marrëdhënie. Do të na duhet të rishqyrtojmë vlerën e NATO-s dhe asaj aleance për vendin tonë", tha Rubio gjatë një interviste për FOX News.

"Në fund të fundit, ky është një vendim që duhet ta marrë presidenti", shtoi ai.

Rubio kritikoi aleatët e NATO-s për refuzimin e kërkesave të SHBA-së për të përdorur baza ushtarake, duke thënë: "Nuk po u kërkojmë atyre të kryejnë sulme ajrore. Kur kemi nevojë që ata të na lejojnë të përdorim bazat e tyre ushtarake, përgjigjja e tyre është 'Jo'. Atëherë pse jemi në NATO?".

Sekretari amerikan i cili tha se ka qenë prej kohësh "një nga mbrojtësit më të fortë të NATO-s", vuri në dukje se aleanca e ka lejuar SHBA-në të projektonte pushtet globalisht përmes bazave në Evropë.

Por, ai paralajmëroi se aleanca rrezikon të bëhet "një rrugë me një drejtim". "Pse i kemi të gjitha këto forca amerikane të stacionuara në rajon nëse në kohën tonë të nevojës nuk do të na lejohet t'i përdorim ato baza?", tha Rubio.

Komentet e tij vijnë pasi disa aleatë evropianë kanë refuzuar ose kufizuar kërkesat e SHBA-së të lidhura me luftën e Iranit, përfshirë mohimin e aksesit në baza dhe hapësirën ajrore për shkak të shqetësimeve në lidhje me ligjshmërinë e luftës dhe mungesën e konsultimeve me NATO-n.

Italia kohët e fundit refuzoi një kërkesë të SHBA-së që avionët të uleshin në një bazë ushtarake në Siçili ndërsa Spanja ka refuzuar të autorizojë përdorimin e bazave ose hapësirës së saj ajrore për operacione që lidhen me luftën. Aleatë të tjerë, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë, e kanë kufizuar rolin e tyre në mbështetje mbrojtëse për partnerët rajonalë dhe kanë bërë thirrje të përsëritura për deeskalim.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın