Politikë, Bota

Rubio: SHBA-ja dhe vendet e tjera do të punojnë për garantimin e sigurisë për Ukrainën

- "Ne do të punojmë me aleatët tanë evropianë dhe vendet jo-evropiane, meqë ra fjala, për të ndërtuar një garanci të tillë sigurie", tha sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio

Rabia İclal Turan  | 19.08.2025 - Përdıtësım : 19.08.2025
Rubio: SHBA-ja dhe vendet e tjera do të punojnë për garantimin e sigurisë për Ukrainën

Washington DC

WASHINGTON (AA) - Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Washingtoni po koordinohet me vendet evropiane dhe jo-evropiane për të ndërtuar garanci sigurie për Ukrainën, transmeton Anadolu.

"Ne do të punojmë me aleatët tanë evropianë dhe vendet jo-evropiane, meqë ra fjala, për të ndërtuar një garanci të tillë sigurie. Po punojmë për këtë tani. Do të vazhdojmë të punojmë për këtë", tha Rubio gjatë një interviste me FOX News.

Ai shtoi se ndërsa shumë vende janë të gatshme të ofrojnë garanci, vetë Ukraina e konsideron një ushtri të fortë si mbrojtjen më të rëndësishme për të ardhmen e saj.

"Ne nuk po i japim më armë Ukrainës. Tani po u shesim armë, dhe vendet evropiane po paguajnë për to përmes NATO-s. Ata po përdorin NATO-n për të blerë armët dhe për t'i transferuar ato në Ukrainë," shtoi ai.

Rubio gjithashtu tha se çdo marrëveshje eventuale paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë do të kërkojë "lëshime" nga të dyja palët, duke përfshirë potencialisht territorin.

Deklaratat e Rubios erdhën pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë midis presidentit Donald Trump, presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësve evropianë, përfshirë kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, presidentin finlandez, Alexander Stubb dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Gjatë bisedimeve, udhëheqësit diskutuan planet për garancitë e sigurisë që mund t'i ofrojnë Ukrainës mbrojtje të ngjashme me kornizën e mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Ky takim pasoi samitin e fundit të Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaska dhe një takim të mëparshëm të diskutueshëm me Zelenskyyn në shkurt.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın