Rrëshqitja masive e baltës godet një fshat në Indinë veriore, të paktën 100 persona të zhdukur
Një operacion masiv shpëtimi po zhvillohet për të gjetur rreth 100 persona të zhdukur pas një rrëshqitjeje të baltës dhe përmbytjes së shpejtë të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut në fshatin Dharali të shtetit Uttarakhand

Ankara
Një operacion masiv shpëtimi po zhvillohet për të gjetur rreth 100 persona të zhdukur pas një rrëshqitjeje të baltës dhe përmbytjes së shpejtë të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut në fshatin Dharali të shtetit Uttarakhand në Indinë veriore, transmeton Anadolu.
Deri më tani, autoritetet kanë arritur të shpëtojnë disa persona. Kryeministri i shtetit Uttarakhand, Pushkar Singh Dhami, tha se "operacionet e shpëtimit po vazhdojnë me intensitet maksimal".
"Ne po punojmë me vigjilencë dhe shpejtësi të plotë për të siguruar që ndihma e menjëhershme dhe e mjaftueshme të arrijë tek të prekurit", shtoi ai.
Ushtria indiane, e cila njoftoi se të paktën nëntë pjesëtarë të saj janë të zhdukur në këtë incident, tha se njësi shtesë të ushtrisë bashkë me qen gjurmues, dronë, dronë logjistikë dhe pajisje për gërmime janë dërguar për të forcuar burimet në terren dhe për të përshpejtuar përpjekjet.
"Helikopterët e Ushtrisë dhe Forcës Ajrore për furnizime thelbësore, barna dhe evakuimin e personave të bllokuar gjithashtu po koordinohen. Ndërkohë, banorët janë zhvendosur në zona më të larta për shkak të rritjes së niveleve të ujit nga reshjet e pandërprera", shkroi Komanda Qendrore e Ushtrisë në platformën sociale X.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen, Sanjay Seth, i cili e cilësoi situatën si serioze, tha se katër persona kanë humbur jetën.
"Rreth 100 janë të zhdukur", tha ai për Agjencinë e Lajmeve të Indisë (PTI).
Pamjet televizive tregojnë shkatërrimin e madh në zonë, ku shtëpitë prej betoni dhe rrugët janë rrënuar dhe janë zhdukur nga ujërat.
Dje, kryeministri indian, Narendra Modi, tha se "po bëhet çdo përpjekje për të siguruar ndihmën për njerëzit".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.