Rrjedhja e ujit në Muzeun e Luvrit në Paris dëmton rreth 400 libra në departamentin e antikiteteve egjiptiane
Ndërsa shumica e vëllimeve të çmuara i shpëtuan dëmtimit, "La Tribune de l’Art" thotë se ato mbeten të ruajtura nën dritare dhe të mbrojtura vetëm me mbështjellës flluskash
Stamboll
Një rrjedhje e madhe përmbyti departamentin e antikiteteve egjiptiane të Muzeut të Luvrit në Paris më 27 nëntor, duke dëmtuar rreth 400 libra dhe duke rikthyer shqetësimet në lidhje me infrastrukturën e vjetër të muzeut më të vizituar në botë në Francë, transmeton Anadolu.
Sipas "La Tribune de l’Art", e cila raportoi e para, përmbytja nuk ishte një aksident i paparashikuar.
Për vite me radhë, departamenti kishte kërkuar vazhdimisht fonde nga zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Luvrit, Francis Steinbock, për të zhvendosur koleksionet ose për të instaluar masa mbrojtëse, duke paralajmëruar se tubat e vjetër në tavanet e varura përbënin një rrezik në rritje.
Këto kërkesa u refuzuan, si dhe një propozim për të blerë mobilİe të përshtatshme për të mbrojtur vepra të rralla siç është Përshkrimi i Egjiptit i Karl Richard Lepsius.
Ndihma e një kontraktori të jashtëm në zhvendosjen e librave në një vend më të sigurt, e cila u bë e mundur nga zhvendosja e bibliotekës së një departamenti tjetër, thuhet se u refuzua gjithashtu.
Ndërsa vëllimet më të çmuara i shpëtuan dëmtimeve, thuhet se ato mbeten të ruajtura nën dritare dhe të mbrojtura vetëm me mbështjellës flluskash, duke i lënë të ekspozuara ndaj stuhive që dihet se shkaktojnë rrjedhje të rënda në atë pjesë të ndërtesës.
Në një zhvillim të veçantë, muzeu njoftoi në fund të nëntorit se do të rriste çmimet e biletave për shumicën e vizitorëve jo-BE në 32 euro, një rritje prej 45 për qind.
Luvri priti 8.7 milionë vizitorë në vitin 2024, 69 për qind e tyre nga jashtë vendit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
