Rritet në 69.775 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
Që nga fillimi i armëpushimit në sulmet izraelite janë vrarë 345 persona, janë plagosur 889 të tjerë ndërsa 588 trupa janë nxjerrë nga rrënojat
Istanbul
Është rritur në 69.775 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga tetori 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, janë ndarë të dhënat e fundit në lidhje me viktimat dhe të plagosurit në sulmet e Izraelit si dhe trupat e nxjerrë së fundmi nga rrënojat.
Në 24 orët e fundit në spitale mbërritën 16 të plagosur dhe trupat e 17 palestinezëve, 14 prej të cilëve të nxjerrë nga rrënojat. Deklarata vë në dukje se që nga fillimi i armëpushimit në sulmet izraelite janë vrarë 345 persona, janë plagosur 889 të tjerë ndërsa 588 trupa janë nxjerrë nga rrënojat.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori 2023 është rritur në 69.775 ndërsa numri i të plagosurve në 170.965.
- Armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja për shkëmbimin e pengjeve
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi më 9 tetor se Izraeli dhe Hamasi kishin miratuar fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza gjatë negociatave që po zhvilloheshin në Egjipt.
Marrëveshja e nënshkruar në Egjipt ku u zhvilluan negociatat, hyri zbatim më 10 tetor me miratimin e qeverisë izraelite.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Rripin e Gazës, ushtria izraelite vazhdon herë pas here sulmet e saj ndaj palestinezëve me pretendime të ndryshme.
