Rritet në 21 numri i të lënduarve nga përplasja e avionit në aeroportin në Kanada
Nga 21 të lënduar në aksidentin e së hënës, 19 janë liruar nga spitalet, tha linja ajrore
Washington
Numri i personave të lënduar pasi një avion pasagjerësh i “Delta Airlines” u rrëzua gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar Pearson të Torontos është rritur në 21, ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e aksidentit, transmeton Anadolu.
Nga 21 të lënduar në aksidentin e së hënës, 19 janë liruar nga spitalet, tha linja ajrore në një deklaratë.
“Prioriteti ynë më i ngutshëm mbetet të kujdesemi për të gjithë klientët dhe anëtarët e ekuipazhit”, ka thënë shefi ekzekutiv i Deltas, Ed Bastian.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbështetur ata dhe familjet e tyre në ditët në vijim, dhe e di që zemrat, mendimet dhe lutjet e gjithë komunitetit Delta janë me ta. Ne jemi mirënjohës për të gjithë reaguesit e parë dhe ekipet mjekësore që janë kujdesur për ta”, ka shtuar ai.
Nuk është ende i qartë shkaku nga i cili fluturimi DL4819 nga Minneapolisi për në St.Paul u rrëzua, por një video e postuar në mediat sociale tregon se ai rrëshqet përgjatë pistës dhe rrokulliset përpara se të ndalet.
Bordi i Sigurisë së Transportit të Kanadasë po udhëheq hetimin në vazhdim.
Autoritetet pritet të informojnë gazetarët me informacionin më të fundit në lidhje me përplasjen.
