Rriten tensionet në protestat në Los Angeles kundër ligjit të Trumpit për imigracionin
Qindra trupa të Gardës Kombëtare të Kalifornisë mbërritën të dielën në Los Angeles, pasi presidenti Donald Trump urdhëroi vendosjen e 2.000 ushtarëve të gardës në Kaliforninë jugore

Shkup
Protestuesit u përleshën me policinë dhe u vunë flakën të paktën 5 automjeteve në qendër të Los Angelesit në SHBA, në ditën e tretë të protestave kundër administratës së Trumpit mbi imigracionin në shtetin amerikan të Kalifornisë, raporton Anadolu.
Forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës dhe municione për kontrollin e turmës për të shpërndarë protestuesit ku dhjetëra prej tyre u arrestuan.
Qindra trupa të Gardës Kombëtare të Kalifornisë mbërritën të dielën në Los Angeles, pasi presidenti Donald Trump urdhëroi vendosjen e 2.000 ushtarëve të gardës në Kaliforninë jugore. Ndërsa 500 marinarë të tjerë janë në "përgatitje për t'u vendosur" nëse është e nevojshme.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom kundërshtoi vendosjen e Gardës Kombëtare nga presidenti, e cila mund të pushtojë Los Angelesin për 60 ditë, duke e quajtur atë të paligjshëm dhe duke i kërkuar zyrtarisht Trumpit të anulojë urdhrin.
"Aktualisht nuk ka nevojë që Garda Kombëtare të vendoset në Los Angeles. Ta bësh këtë në këtë mënyrë të paligjshme dhe për një periudhë kaq të gjatë është shkelje serioze e sovranitetit të shtetit", tha Newsom në një deklaratë duke shtuar se forcat lokale të rendit ishin gati të përballonin protestat.
"Nuk kishim problem derisa u përfshi Trumpi. Ne jemi këtu për të ruajtur paqen, jo për të luajtur në lojërat politike të Trumpit", tha ai.
Kryebashkiakja e Los Angelesit, Karen Bass, gjithashtu kundërshtoi vendosjen e Gardës Kombëtare nga presidenti dhe u bëri thirrje demonstruesve të protestojnë në mënyrë paqësore.