Bota

Rreth 2.400 artistë dhe arkitektë izraelitë nënshkruajnë peticione, kërkojnë ndërprerjen e mizorive në Gaza

Nënshkruesit i bëjnë thirrje qeverisë izraelite të ndalojë luftën dhe të kthejë pengjet

Mohammad Sıo  | 04.08.2025 - Përdıtësım : 04.08.2025
Rreth 2.400 artistë dhe arkitektë izraelitë nënshkruajnë peticione, kërkojnë ndërprerjen e mizorive në Gaza

Kuds

Rreth 2.400 artistë dhe arkitektë izraelitë kanë nënshkruar dy peticione të ndara duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të politikës së urisë nga Izraeli, zhvendosjes me forcë të palestinezëve dhe krimeve të luftës në Gaza, transmeton Anadolu.

Portali izraelit i lajmeve "Walla" tha se afërsisht 1.000 figura izraelite nga fusha e kulturës, përfshirë emra të shquar në muzikë, teatër, letërsi dhe film, nënshkruan një peticion duke bërë thirrje për "armëpushim të menjëhershëm në Gaza".

"Ne artistët e Izraelit, refuzojmë të jemi bashkëfajtorë kundër vullnetit tonë në mizoritë e kryera në Gaza, vrasjen e fëmijëve dhe civilëve, urinë, zhvendosjen dhe shkatërrimin e pakuptimtë të qyteteve të Gazës", thuhet në peticion.

"U bëjmë thirrje vendimmarrësve: Ndaloni! Mos jepni urdhra të paligjshme. Mos kryeni krime lufte. Mos braktisni parimet etike dhe humanitare ose vlerat e judaizmit", shtoi ai.

Peticioni përfundoi me një kërkesë të qartë: "Ndaloni luftën. Sillni pengjet në shtëpi".

Një peticion i dytë, i raportuar gjithashtu nga "Walla", u nënshkrua nga gati 1.400 artistë vizualë, dizajnerë dhe arkitektë dhe situata në Gaza përshkruhet si "tmerr në një shkallë historike" dhe paralajmëroi për një katastrofë humanitare në thellim.

"Populli izraelit mban përgjegjësi për atë që po ndodh vetëm pak kilometra larg", thuhet në shkrim.

Më herët të dielën, Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se numri i palestinezëve që kanë vdekur nga uria e shkaktuar nga bllokada izraelite ka arritur në 175, përfshirë 93 fëmijë, që nga fillimi i gjenocidit të Izraelit në tetor 2023.

Ushtria izraelite, duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 60.800 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın