Rreth 1.200 figura publike izraelite kundër ligjit të propozuar për dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë
Figura izraelite, përfshirë laureatë të Çmimit Nobel, ish-zyrtarë të lartë ushtarakë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Supreme, publikuan një deklaratë që kundërshton ligjin e dënimit me vdekje për të burgosurit palestinezë
Stamboll
Rreth 1.200 figura publike izraelite shprehën kundërshtimin e tyre ndaj një ligji të propozuar që do të vendoste dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë, një projektligj që po paraqitet nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke e përshkruar atë si një "njollë morale", raportuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu.
Figura izraelite, përfshirë laureatë të Çmimit Nobel, ish-zyrtarë të lartë ushtarakë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Supreme, publikuan një deklaratë që kundërshton ligjin e dënimit me vdekje për të burgosurit palestinezë që aktualisht po promovohet në parlamentin izraelit (Knesset), raportoi faqja e internetit izraelite e lajmeve "Walla".
Deklarata thekson se "ripërtëritja e përdorimit të dënimit me vdekje do të hedhë një njollë morale mbi Izraelin dhe do të kundërshtojë identitetin e tij si shtet hebre", duke iu referuar ligjit të propozuar të ekzekutimit për të burgosurit palestinezë.
Laureatët e Çmimit Nobel në Kimi, Ada Yonath, Aharon Ciechanover, Avram Hershko dhe Dan Shechtman janë midis nënshkruesve. Gjithashtu nënshkrues janë katër ish-gjyqtarë të Gjykatës Supreme, Meni Mazuz, Yoram Danziger, Anat Baron dhe George Kara, përveç dhjetëra ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve të lartë.
Nënshkrues të tjerë përfshijnë ish-zyrtarë të sigurisë: shefat e Shin Bet, Ami Ayalon dhe Carmi Gillon; ish-shefi i Mossadit, Tamir Pardo; ish-shefat e shtabit të ushtrisë izraelite, Dan Halutz dhe Moshe Ya'alon dhe ish-kryeministri Ehud Olmert.
Raporti vuri në dukje se presidentë të universiteteve dhe akademikë nga i gjithë vendi, së bashku me qindra anëtarë të lartë të fakultetit, gjithashtu kanë nënshkruar deklaratën.
Partia e ekstremit të djathtë "Otzma Yehudit", e udhëhequr nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir propozoi projektligjin, i cili do të vendosë dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë të akuzuar për vrasjen ose pjesëmarrjen në vrasjen e izraelitëve ndërsa nuk do të zbatojë të njëjtin ligj për izraelitët e akuzuar për vrasjen e palestinezëve.
Në nëntor, Knesseti e miratoi projektligjin në leximin e parë. Ai duhet të kalojë ende një lexim të dytë dhe të tretë përpara se të bëhet ligj ndërsa ende nuk është caktuar një datë për leximin e dytë dhe të tretë.
Nëse miratohet, sipas projektligjit dënimi do të kryhet me injeksion vdekjeprurës të administruar nga shërbimi i burgjeve. Për të parandaluar çdo mundësi të vonesës së ekzekutimit, ligji përcakton që ai duhet të kryhet brenda 90 ditëve nga vendimi i gjykatës.
