Rreth 1.200 akademikë në Izrael bëjnë thirrje për ndalimin e sulmeve në Gaza
Akademikët bënë thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj Gazës duke theksuar se "Nëse nuk bëjmë thirrje për ndalim tani, historia nuk do të na falë"

Kuds
Lëvizja "Flamuri i Zi" në Izrael i përbërë nga rreth 1.200 akademikë, i ka bërë thirrje shoqërisë izraelite të kundërshtojë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga qeveria e Tel Avivit në Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas mediave izraelite, afër 1.200 akademikë izraelitë kanë nënshkruar një letër duke bërë thirrje për veprime për të ndaluar sulmet intensive në Rripin e Gazës dhe për t'i dhënë fund katastrofës humanitare.
Letra iu dërgua Komitetit të Presidentëve të Universiteteve, Komitetit të Presidentëve të Kolegjeve Akademike Publike dhe Qendrës së Përgjithshme të Luftës Akademike.
Letra, e cila vë në dukje vdekjet e shkaktuara nga Izraeli në Gaza dhe krimet kundër njerëzimit që ka kryer, thekson se "Izraeli vazhdon të bombardojë spitalet, shkollat dhe institucionet e tjera. Siç përcaktohet në urdhrat e operacionit aktual ushtarak 'Karrocat e Gideonit', qëllimet e deklaruara të luftës përfshijnë 'zhvendosjen e popullsisë'. Kjo është një listë e tmerrshme e krimeve të luftës dhe madje edhe krimeve kundër njerëzimit dhe të gjitha janë vepër e jona".
Akademikët tërhoqën vëmendjen për faktin se fajtore është jo vetëm qeveria, por edhe shoqëria që miraton dhe legjitimon veprimet e qeverisë duke heshtur.
Duke kritikuar institucionet e arsimit të lartë për "heshtjen përballë vdekjes, urisë, shkatërrimit, eliminimit të plotë të sistemit arsimor, njerëzve dhe strukturave në Gaza", akademikët bënë thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj Gazës duke theksuar se "Nëse nuk bëjmë thirrje për ndalim tani, historia nuk do të na falë".
- Ushtria izraelite shkeli armëpushimin dhe ndërmori veprime për pushtim të përhershëm të Gazës
Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme në mëngjesin e 18 marsit. Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, 4.335 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe 10.756 janë plagosur.
Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 54.607 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 125.342.
Ushtria izraelite ka filluar zbatimin e një plani sulmi që do të zgjerojë dhe do ta bëjë të përhershëm pushtimin e Rripit të Gazës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ata do të pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës.
Sipas planit, ushtria izraelite do ta pushtojë përgjithmonë Rripin e Gazës ndërsa palestinezët do të dëbohen në "kampe përqendrimi" në jug të Gazës. Izraeli do t'u japë palestinezëve në këto kampe përqendrimi, ndihmë të mjaftueshme humanitare "aq sa për të mbijetuar".
Ministrat izraelitë kanë deklaruar se kanë planifikuar të shkatërrojnë gjithçka që ka mbetur e paprekur në Rripin e Gazës dhe që të dëbojnë palestinezët fillimisht në jug dhe prej aty në shtete të tjera.