Rrëshqitje dheu dhe përmbytje në Indi, 4 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur
Incidenti ndodhi në fshatin Dharali në shtetin Uttarakhand. Autoritetet nxituan në vendosjen e ushtrisë për një operacion shpëtimi

Ankara
Të paktën katër persona humbën jetën ndërsa 50 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një rrëshqitjeje masive dheu dhe përmbytjesh të menjëhershme që goditën një fshat të martën në rajonin Himalaje në veri të Indisë, transmeton Anadolu.
Incidenti ndodhi në fshatin Dharali në shtetin Uttarakhand, raportoi transmetuesi lokal "India Today". Autoritetet nxituan në vendosjen e ushtrisë për një operacion shpëtimi.
Rrëshqitja e dheut shkaktoi "rrjedhje të papritur mbeturinash dhe uji nëpër vendbanim", shkroi ushtria në X.
Trupat u "mobilizuan menjëherë dhe kanë arritur në vendin e prekur për të vlerësuar situatën dhe për të ndërmarrë operacione shpëtimi", shtoi ajo.
Pamjet televizive tregojnë ujërat e përmbytjeve duke rrëmbyer shtëpitë dhe një rrugë në zonë.
Kryeministri i shtetit Uttarakhand, Pushkar Singh Dhami tha se një breshëri resh e mbuluan zonën.
"Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të lartë dhe situata po monitorohet nga afër", tha ai në X.