Bota

Rrëfimet e afganëve të burgosur në Bagram, burgu i kontrolluar nga forcat amerikane

Në burgun e ashtuquajtur "Guantanamo" të Afganistanit, i cili menaxhohej nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), forcat amerikane morën në pyetje dhe torturuan mijëra afganë

23.09.2021 - Përdıtësım : 23.09.2021
Rrëfimet e afganëve të burgosur në Bagram, burgu i kontrolluar nga forcat amerikane ( Mustafa Melih Ahıshalı - Anadolu Agency )

Kabul

Tre të burgosur nga burgu Bagram, i cili u ngrit pas pushtimit amerikan të Afganistanit, treguan se si trupat amerikane i trajtuan të burgosurit në mënyrë çnjerëzore, shkruan Anadolu Agency (AA).

Pas sulmeve terroriste në Qendrën Tregtare në New York më 11 shtator 2001, SHBA-ja shpalli fajtor udhëheqësin e atëhershëm të Al-Kaedës, Osama bin Laden dhe kërkuan ekstradimin e Bin Ladenit nga talebanët.

Kur udhëheqësi i atëhershëm taleban, Mulla Omar njoftoi se nuk do ta ekstradojë Bin Ladenin në SHBA, administrata e Washingtonit nisi një sulm në shkallë të gjerë ndaj Afganistanit.

SHBA-ja, për të thyer rezistencën e talebanëve, më pas ofroi shpërblime deri në 1 milion dollarë për kokat e udhëheqësve të tyre të lartë dhe rreth 30 milionë fletushka u hodhën nga avionët dhe helikopterët.

Meqenëse metoda doli e pasuksesshme, administrata amerikane vendosi të hapë burgje për të frikësuar si anëtarët ashtu edhe mbështetësit e talebanëve.

Një burg i tillë ishte burgu Bagram, 50 kilometra në veri të kryeqytetit afgan Kabul, në të cilin vuanin 5-6 mijë në një total prej 120 repartesh. Burgu u ngrit në vitin 2002 në bazën ajrore Bagram.

Në burgun e ashtuquajtur "Guantanamo" të Afganistanit, i cili menaxhohej nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), forcat amerikane morën në pyetje dhe torturuan mijëra afganë me pretekste të ndryshme.

Tre anëtarë talebanë të cilët ishin burgosur në Bagram për vite të tëra, të njohur edhe si "Burgu i Zi", folën për AA për vitet e kaluara në burg.

Mevlevi Abdulhalim Shadim, i cili ishte 33-vjeç kur u arrestua, tha se në Bagram kaloi 7 vjet e tre muaj në burg dhe ishte dëshmitar i torturave të ndryshme.

"Ata më çuan në burg duke bërë akuza të shumta të pabaza për mua. Pretendonin se isha një nga komandantët kryesorë të grupit Hakkani. Në gazetat e publikuara në provincën ku jetoj, ata raportuan se 'Mevlevi Shadim është terrorist dhe një nga komandantët e organizatës Hakkani. Pastaj më arrestuan dhe më futën në burg", tha Shadim.

- "Kishte momente kur nuk hanim 3 ditë"

Shadim, i cili mohoi akuzat se ishte i lidhur me grupin Hakkani, vazhdoi të flasë për torturat e kryera nga ushtarët amerikanë.

"Unë qëndrova në këtë repart për 7 vjet e tre muaj. Isha 33-vjeç në atë kohë. Isha i martuar dhe kisha 4 fëmijë. Më torturuan shumë. Kishte momente kur nuk hanim 3 ditë. Ata nga lartë spërkisnin me sprej nga i cili na digjnin sytë përmes telit. Nuk mund të shihnim asgjë. Në dimër, të burgosurit nxirreshin në dëborë dhe qëndronin 3 ditë. Për ushqim na jepnin një copë bukë".

Ai tregon se 30-40 persona qëndronin në një dhomë të burgut.

"Nuk kishte vend për të fjetur, një të burgosuri i takonte ​​gjysmë metër hapësirë. Bukën na jepnin përmes një vrime të hekurit, duart na lidhnin me një hekur të quajtur 'rok' dhe kështu na çonin në gjyq", tha Shadim.

- "Nuk kishte perde në tualet dhe banjo"

Shadim i tregoi AA-së tualetin dhe banjon.

"Këtu ishte tualeti. 30-40 persona e shfrytëzonin këtë vend. Në fillim ky mur nuk ekzistonte. Ata as nuk na lejuan të vendosnim as perde. Ne të gjithë merrnim abdes këtu dhe bënim dush. Nuk kishte perde as në banjo. Kishte një kamerë sipër nesh dhe ata bënin fotografi ndërsa ne po bënim dush", tha Shadim.

Duke folur për ndjenjat e tij pas një përvoje kaq të tmerrshme, Shadim tha: "Aq shumë na ka forcuar ajo që kemi vuajtur në këtë burg, saqë edhe nëse burgosemi edhe 100 herë të tjera, nuk do të ndalemi së mbrojturi atdheun dhe besimin tonë. Nga këto përvoja kemi dalë më të fortë, nuk jemi dobësuar, faleminderit Zotit".

- "Këto janë të drejtat e njeriut?"

Ahmed Davud Mansouri, gjithashtu i burgosur, vuri në dukje se maska ​​e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në SHBA kishte rënë në burgun Bagram.

Mansouri u arrestua në moshën 32-vjeçare me akuzën e propagandës kundër SHBA-së dhe ai gjithashtu kaloi 7 vjet në burgun Bagram.

"Mbrojtësit e të drejtave të njeriut na kanë burgosur këtu. Kemi qëndruar për vite. Si funksionojnë të drejtat e njeriut, shikoni situatën këtu", tha Mansouri.

Ai tha se ishte shumë nxehtë në burg në verë dhe shumë ftohtë në dimër.

"Ishte shumë nxehtë këtu në verë dhe ftohtë në dimër. Në fakt kishte kondicionerë. Por, në dimër ata lëshonin ajrin e ftohtë dhe në verë të nxehtin. Rregullonin temperaturën sa që e çonin deri në një shkallë torture", tha Mansouri.

- "Liria nuk mund të përshkruhet"

Mansouri tha se i ishte mirënjohës Zotit që i dha fund pushtimit amerikan të Afganistanit.

"Falënderojmë Zotin. SHBA-ja ishte një forcë pushtuese që i vuri afganët në një pozitë të vështirë. Populli i shtypur afgan, me ndihmën e Allahut i mundi ata. Ne duhet të jemi shumë mirënjohës për këtë. Unë mendoj se liria nuk mund të definohet. Është e pamundur të përshkruhet me fjalë", tha Mansouri.

Sukrullah Bey, një nga profesorët e medresesë në Afganistan tha se SHBA-ja projektuan dhe realizuan burgun e Bagram-it si një vend ku njerëzit nuk do të jenë në gjendje të jetojnë.

Ai tha se kishte shumë dijetarë dhe hafizë të Kuranit në repartin e tij.

"Kishte shumë njerëz të vyer këtu. Ata vetëm po mbaheshin aty, larg shtëpive dhe fëmijëve të tyre, pa e ditur se çfarë po ndodhte jashtë. Ne mbetëm këtu. Studiuam, lexuam Kuran dhe faleshim. Mevlevi Sabir na mbante ligjëratë dhe na interpretonte Kuranin", tha Sukrullah.

Duke potencuar se të drejtat e njeriut janë një term imagjinar, Sukrullah shtoi: "Cilat të drejta të njeriut. Ata vetëm se kanë shpikur një fjalë të quajtur të drejtat e njeriut. A janë këto të drejtat e njeriut? A mund të jetojë një njeri këtu? Ata ndërtuan një burg ku është e pamundur të jetosh. Ai i cili banon këtu ose do të vdesë ose do të çmendet ose do të mbetet i gjymtuar. Ky ishte qëllimi i tyre. Këtu nuk mund të jetojnë as kafshët. Si mund të jetojë një njeri".

- "Kishte njerëz që nuk kishin forcë të ecnin"

Ai theksoi se në repart kishte edhe të moshuar të cilët ishin burgosur për 14-15 vjet.

"Në mesin tonë kishte njerëz të moshuar që nuk mund të ecnin për shkak të sëmundjes. Ata nuk mund të shkonin në tualet. Të burgosurit e tjerë i ndihmonin të shkonin në tualet", tha Sukrullah.

Ai deklaroi se administrata e burgut nuk kujdesej për të sëmurët dhe në situata të tilla ata përdornin metodat e mëposhtme:

"Ne bëmë gjithçka që mundëm për t'u siguruar që kur ishim të sëmuremi rëndë të vinte një mjek. Ne bënim zhurmë duke goditur sende të forta në tokë. Kur kishim të sëmurë, thërrisnim mjekun. Mjeku pyeste nga lart përmes telave, 'Kush është i sëmurë?' Kur thoshim, 'Ky person është në gjendje të rëndë dhe nuk mund të marrë frymë', ai thoshte, 'është në gjendje të mirë, nuk ka probleme' dhe largohej".

"Për t'u kujdesur për pacientin ne bënim trazira duke thirrur tekbire dhe godisnim tokën me sende të forta. Atëherë rojet na pyesnin se 'Ku qëndron problemi?' Ne thoshim: 'Merreni pacientin tonë në spital'. Për ta nxjerrë pacientin jashtë, ata hapnin derën e hekurt, e nxirrnin pacientin jashtë dhe i vinin prangat. Ata e çonin në infermieri duke e shtypur në qafë. Më kujtohet kur për 13 ditë në mot të ftohtë na mbajtën në beton. Me ditë të tëra kemi fjetur në beton. Ne ishim të ekspozuar ndaj të gjitha llojeve të torturave", tha Sukrullah.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın