Bota

Rouhani: Masat do të vazhdojnë derisa të gjendet vaksina, shkelësit do të dënohen

"Të gjitha rregullat e shpallura nga Këshilli i Luftës Kombëtare Kundër Koronavirusit do të vazhdojnë fuqishëm derisa Ministria e Shëndetësisë të njoftojë se është siguruar një vaksinë e pranueshme dhe kushtet kanë ndryshuar", tha Rouhani

Ahmet Dursun  | 01.08.2020 - Përdıtësım : 02.08.2020
Rouhani: Masat do të vazhdojnë derisa të gjendet vaksina, shkelësit do të dënohen

Ankara

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, tha se masat e rrepta në vend do të vazhdojnë dhe ata që nuk ndjekin udhëzimet do të ndëshkohen derisa të zbulohet një vaksinë e pranueshme kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur pas një takimi të Këshillit të Luftës Kombëtare Kundër Koronavirusit në kryeqytetin Teheran, Rouhani tha se vendi nuk do t'i lehtësojë masat kundër virusit.

"Të gjitha rregullat e shpallura nga Këshilli i Luftës Kombëtare Kundër Koronavirusit do të vazhdojnë fuqishëm derisa Ministria e Shëndetësisë të njoftojë se është siguruar një vaksinë e pranueshme dhe kushtet kanë ndryshuar", deklaroi Rouhani.

Sipas tij, shumica e popullatës i respekton udhëzimet shëndetësore.

"Nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, patjetër që do të shohim lajme të mira në javët në vazhdim. Raportet gjithashtu tregojnë se rregulloret dhe protokollet shëndetësore ndiqen në zyra, banka dhe qendrat e frekuentuara", shtoi ai.

Megjithatë, tha Rouhani, një pjesë e vogël e qytetarëve nuk i respektojnë rregullat dhe paralajmëroi masa ndëshkimore.

"Nëse dikush nuk i zbaton rregullat shëndetësore, ai duhet të ndëshkohet. Njerëzit që shkelin rregullat duhet të identifikohen dhe të ndërmerren veprime të nevojshme. Këto dënime duhet të shpallen dhe publiku duhet të informohet", porositi presidenti i Iranit.

Duke theksuar se identifikimi i pacientëve të infektuar me virusin është gjithashtu i rëndësishëm për të parandaluar epideminë, ai tha:

"Ne duhet të identifikojmë njerëzit që janë infektuar me virusin dhe t'i izolojmë ata nga shoqëria. Ka vende që e bëjnë këtë me sisteme monitorimi dhe ndjekin njerëzit e infektuar, por ne nuk e kemi këtë sistem. Ne do ta sigurojmë këtë përmes telefonave celularë. Përmes celularëve, do të gjurmojmë ku shkojnë dhe ku gjenden personat e infektuar. Kjo nuk është e vështirë për ta zbatuar. Ne do ta sigurojmë këtë me Ministrinë tonë të Komunikimit dhe Teknologjisë".

Ai deklaroi se ndalimi i tubimeve vazhdon në gjithë vendin, por shtoi se aktivitetet e muajit Muharrem që korrespondojnë me fundin e këtij muaji do të organizohen duke respektuar udhëzimet shëndetësore.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın