Bota

Rikthehet interneti në Gaza pas ndërprerjes 2-ditore për shkak të sulmeve izraelite

Këto ndërprerje, të cilat zakonisht zgjasin disa orë ose ditë, izolojnë plotësisht Rripin e Gazës nga bota e jashtme dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në sektorët jetike që funksionojnë minimalisht

Mohamed Majed, Zeynep Tüfekci Gülay  | 19.09.2025 - Përdıtësım : 19.09.2025
Rikthehet interneti në Gaza pas ndërprerjes 2-ditore për shkak të sulmeve izraelite

Gaza/Stamboll

Shërbimet e internetit dhe të telefonisë fikse në Rripin e Gazës janë rikthyer pasi u ndërprenë për dy ditë si pasojë e sulmeve izraelite që shënjestruan infrastrukturën e qytetit, transmeton Anadolu.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa ndau një deklaratë nga kompania palestineze e Telekomunikacionit (Paltel) në lidhje me këtë çështje.

Kompania theksoi se pavarësisht kushteve të rrezikshme në terren, ekipet kishin arritur të rivendosnin shërbimet në Gaza dhe në provincat e Gazës veriore.

Të mërkurën, Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit Palestinez njoftoi se për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite dhe dëmeve të shkaktuara në shumë rrugë kryesore, shërbimet e internetit dhe të komunikimit u ndërprenë në veri të Rripit të Gazës dhe në qytetin e Gazës.

Këto ndërprerje, të cilat zakonisht zgjasin disa orë ose ditë, izolojnë plotësisht Rripin e Gazës nga bota e jashtme dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në sektorët jetikë që funksionojnë minimalisht.

Ndër më të prekurit janë mbrojtja civile, shërbimet e ambulancës dhe spitalet. Përveç kësaj, ndërprerjet pengojnë shpërndarjen e ndihmës humanitare dhe paralizojnë të gjitha aspektet e jetës së përditshme.

Izraeli ka ndërprerë vazhdimisht dhe qëllimisht rrjetet e komunikimit dhe internetit për periudha të gjata gjatë fushatës kundër Rripit të Gazës.

Pavarësisht dënimit nga OKB-ja dhe organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat e përshkruan politikën si "të rrezikshme dhe imorale", Izraeli vazhdon praktikën në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Sipas Monitorit Euro-Mesdhetar për të Drejtat e Njeriut, më shumë se 12 ndërprerje të plota të komunikimit dhe internetit janë dokumentuar në Rripin e Gazës që nga fillimi i sulmeve izraelite në tetor të vitit 2023.

Organizata tha se politika është "sistematike, që synon izolimin e Rripit të Gazës nga bota e jashtme dhe mbulimin e krimeve të kryera nga Izraeli".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.