Rastet e meningjitit në juglindje të Anglisë rriten në 27
Zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se numri i rasteve të meningjitit ka gjasa të rritet më tej
Londër
Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditur se rastet e meningjitit të lidhura me një shpërthim në juglindje të Anglisë janë rritur në 27, transmeton Anadolu.
Të martën, numri i rasteve ishte 20, ndërsa dje u rrit në 27. Prej tyre, 15 janë të konfirmuara në laborator, ndërsa 12 mbeten nën hetim.
Zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se numri i rasteve të meningjitit ka gjasa të rritet më tej.
Meningjiti është një infeksion i membranave mbrojtëse që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Sëmundja mund të bëhet kërcënuese për jetën nëse nuk trajtohet shpejt.
Simptomat mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, frymëmarrje të shpejtë, përgjumje, të dridhura, të vjella, një skuqje karakteristike dhe duar e këmbë të ftohta.
Drejtori shkencor i Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar, profesori Robin May, tha se: “Në shpërthime si ky zakonisht pritet një rritje e vogël e rasteve, kështu që dyshoj se ky numër do të rritet pak”.
Duke folur për BBC Breakfast, ai e përshkroi shpërthimin, i cili është lidhur me një klub nate në qytetin Canterbury, si “shumë të pazakontë”.
Raste janë konfirmuar në dy universitete dhe katër shkolla në Kent, një qark në juglindje të Anglisë, si dhe në një institucion të arsimit të lartë në kryeqytetin Londër. Shpërthimi mendohet se ka origjinën në klubin e natës në Canterbury.
Mjekët në të gjithë Anglinë janë këshilluar të jenë vigjilentë ndaj simptomave të meningjitit teksa autoritetet shëndetësore monitorojnë situatën.
Një program i synuar vaksinimi është tashmë në zhvillim, me vaksinën kundër meningjitit B që u ofrohet 5 mijë studentëve në Universitetin e Kentit.
Dy persona kanë humbur jetën në lidhje me shpërthimin, një student 21-vjeçar dhe një nxënës i shkollës së mesme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
