Bota

Raporti i OKB-së dokumenton tortura dhe abuzime në rrjetet globale të trafikimit për mashtrime

I bazuar në intervista me të mbijetuar nga shumë vende, të trafikuar mes viteve 2021 dhe 2025, abuzimet e raportuara përfshijnë privim nga ushqimi, aborte të detyruara, izolim dhe rrahje të rënda

Beyza Binnur Dönmez  | 20.02.2026 - Përdıtësım : 20.02.2026
Raporti i OKB-së dokumenton tortura dhe abuzime në rrjetet globale të trafikimit për mashtrime

Gjenevë

Një raport i ri i zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, i publikuar të premten, dokumenton tortura të përhapura, abuzime seksuale dhe punë të detyruar ndaj personave të trafikuar në operacione mashtrimi në shkallë të gjerë, kryesisht në Azinë Juglindore, por gjithnjë e më shumë në mbarë botën, transmeton Anadolu.

I bazuar në intervista me të mbijetuar nga shumë vende, të trafikuar mes viteve 2021 dhe 2025, raporti përshkruan viktima të mashtruara me oferta të rreme pune dhe më pas të detyruara të kryejnë skema mashtrimi online në kushte dhune.

Abuzimet e raportuara përfshijnë privim nga ushqimi, aborte të detyruara, izolim dhe rrahje të rënda.

Imazhet satelitore dhe raportet nga terreni tregojnë se gati tre të katërtat e këtyre operacioneve janë të përqendruara në rajonin e Mekongut, megjithëse rrjetet janë zgjeruar edhe në shtetet ishullore të Paqësorit, Azinë Jugore, vendet e Gjirit, Afrikën Perëndimore dhe Amerikë.

“Trajtimi që përjetojnë individët në kuadër të operacioneve të mashtrimit është alarmant”, thuhet në raport.

Të mbijetuarit përshkruajnë mbajtjen në komplekse të ruajtura rreptësisht, që ngjajnë me qytete të mbyllura, disa prej tyre me sipërfaqe mbi 500 akra. Mosrealizimi i kuotave të mashtrimit shpesh pasohej me ndëshkime. Një viktimë nga Sri Lanka deklaroi se punëtorët që nuk arrinin objektivat zhyteshin për orë të tëra në kontejnerë uji, të njohur si “burgje uji”.

Viktimat raportuan gjithashtu praktika zhvatjeje ndaj familjeve, përfshirë thirrje me video ku shfaqeshin abuzime për të detyruar të afërmit të paguanin shpërblime.

“Lista e abuzimeve është tronditëse dhe njëkohësisht rrëqethëse”, tha komisari i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

“Megjithatë, në vend që të marrin mbrojtje dhe rehabilitim, viktimat shpesh përballen me mosbesim, stigmatizim dhe madje ndëshkime të tjera”, tha Turk.

Ai bëri thirrje për masa kundër trafikimit të bazuara në të drejtat e njeriut, krijimin e rrugëve të sigurta të migrimit dhe forcimin e veprimeve kundër korrupsionit që mundëson këto rrjete kriminale.

“Duhet të rritet disponueshmëria dhe qasja në rrugë të sigurta të migrimit për punë, si dhe mbikëqyrja domethënëse e rekrutimeve, përfshirë verifikimin e njoftimeve për punë online dhe identifikimin e modeleve të dyshimta të rekrutimit”, shtoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.