Bota

Raportet për prodhim armësh nga "Volkswagen"-i për Izraelin ngjallin shqetësim në Gjermani

Duke vendosur një ngjitëse me pikëpyetje mbi tabelën ku shkruhej "Qyteti i Paqes" në hyrje të qytetit, banorët thanë për Anadolu se janë kundër prodhimit të armëve në një fabrikë në qytetin e tyre

Mesut Zeyrek  | 26.03.2026 - Përdıtësım : 26.03.2026
Raportet për prodhim armësh nga "Volkswagen"-i për Izraelin ngjallin shqetësim në Gjermani

Osnabruk

Raportet se kompania gjermane e automjeteve "Volkswagen" do të prodhojë armë për Izraelin në fabrikën e saj në Osnabruk në perëndim të Gjermanisë janë pritur me shqetësim nga banorët lokalë.

Duke vendosur një ngjitëse me pikëpyetje mbi tabelën ku shkruhej "Qyteti i Paqes" në hyrje të qytetit, banorët thanë për Anadolu se janë kundër prodhimit të armëve në një fabrikë në qytetin e tyre.

Paul Streif, punëtor fabrike prej 12 vitesh, tha se kundërshton kategorikisht prodhimin e armëve në fabrikën e "Volkswagen"-it në Osnabruk.

Streif tha se ky vendim nuk është një zgjidhje e mirë për të siguruar të ardhmen e punëtorëve, pasi prodhimi i materialeve luftarake "mund të çojë në zhvillime që mund të nxisin Luftën e Tretë Botërore në vend që të sigurojnë punësim".

Ai u bëri thirrje kolegëve të tij të luftojnë për punë të tjera në vend që të marrin pjesë në prodhimin e armëve ose të pranojnë mbylljen e fabrikës.

Ish-punonjësi i "Volkswagen"-it, Serkan Gulsen që u largua nga kompania për të gjetur punë në sektorin e kuzhinës, tha se kompania vendosi të mbyllë fabrikën ku ai punonte për shkak të performancës së dobët ndërsa kontrata e tij, së bashku me ato të rreth 500 kolegëve, nuk u rinovua.

Gulsen tha se "Volkswagen"-i po kërkon rrugëdalje në situatën aktuale të punësimit.

"Ata donin të hynin në një partneritet me (kompaninë e mbrojtjes) Rheinmetall për të prodhuar për industrinë e mbrojtjes, por kreu i bashkisë Osnabruk ishte kundër kësaj ideje për shkak të rrezikut që qyteti të bëhej objektiv në luftë, por kam dëgjuar se këto diskutime ende vazhdojnë", tha ai.

"Rheinmetall nuk donte asnjë nga punëtorët këtu dhe tha se do të sillte të vetët, ka rreth 3.000 punëtorë në këtë fabrikë, kështu që ata ose do të humbasin vendet e punës ose do të transferohen në fabrika të tjera dhe askush nuk e dëshiron këtë", shtoi ai.

Hasan Bozan, banor i Osnabrukut, tha se shtypja e palestinezëve nga Izraeli nuk mund të tolerohet derisa kaq shumë fëmijë po vdesin. "Qeveria gjermane është bashkëpërgjegjëse për këtë dhe unë jam kundër kësaj dhe nuk dua diçka të tillë. Të gjithë rreth meje mendojnë njësoj dhe askush nuk do të miratojë investime në luftë", tha ai.

- Pretendime për bisedime të "Volkswagen"-it me prodhuesin izraelit të armëve "Rafael"

Gjiganti gjerman i automjeteve "Volkswagen" thuhet se është në bisedime për partneritet strategjik me prodhuesin izraelit të armëve "Rafael" për të shpëtuar fabrikën e tij në Osnabruk nga mbyllja.

Gazeta britanike "Financial Times" raportoi se bashkëpunimi përfshin plane për prodhimin e komponentëve si lëshues dhe mjete transporti për sistemin e mbrojtjes ajrore "Iron Dome" të Izraelit në objektin e "Volkswagen"-it në Osnabruk.

Projekti i mbështetur nga Berlini synon të ruajë sigurinë e vendeve të punës për rreth 2.300 punëtorë.

"Volkswagen"-i ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht pyetjeve të Agjencisë Anadolu lidhur me këtë çështje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.