Bota

Raport: Izraeli po zbaton masa për të marrë nën kontroll lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor

Organizata “Ir Amim” paralajmëron se Izraeli po përdor mjete të reja ligjore dhe administrative për të zhvendosur palestinezët dhe për të zgjeruar vendbanimet kolone në Sheikh Jarrah

Mohammad Sıo  | 29.10.2025 - Përdıtësım : 30.10.2025
Raport: Izraeli po zbaton masa për të marrë nën kontroll lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor

Kuds

Qeveria izraelite ka ndërmarrë masa të reja për të forcuar kontrollin e saj mbi lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të pushtuar dhe për të dëbuar banorët palestinezë, njoftoi sot një organizatë izraelite, transmeton Anadolu.

Në një raport të titulluar “Ngulfatja e Sheikh Jarrahut: Mjete të reja për kontrollin izraelit dhe zhvendosjen e palestinezëve”, organizata “Ir Amim” tha se qeveria izraelite ka hyrë në “një fazë të re dhe të rrezikshme” në përpjekjet e saj për të dominuar njërën nga lagjet më simbolike të Kudsit Lindor.

“Izraeli po përdor tani mjete të paprecedenta ligjore, urbanistike dhe administrative për të arritur të njëjtin qëllim: dëbimin e banorëve palestinezë dhe konsolidimin e pranisë së ngulimeve kolone në zemër të lagjes”, thuhet në raport.

Ndër masat e përmendura, raporti përfshin “projekte të mëdha rinovimi urban, me rreth 2.000 njësi banimi për kolonët izraelitë të paligjshëm, duke përjashtuar plotësisht banorët palestinezë”.

Po ashtu, theksohet se po bëhen përpjekje për “regjistrimin e tokës në disa parcela, duke u lejuar institucioneve qeveritare dhe kolonëve që t’i regjistrojnë ato në emrin e tyre, si dhe konfiskimin dhe ridestinimin e hapësirave publike për institucione fetare hebraike dhe projekte kombëtare-fetare”,

Ir Amim e quajti këtë një “strategji të koordinuar për ta shndërruar Sheikh Jarrahun nga një lagje e gjallë palestineze në një zonë të fragmentuar të dominuar nga vendbanimet kolone izraelite”.

- Zhvendosja e palestinezëve

Studiuesi izraelit Aviv Tatarsky nga Ir Amim ka thënë se këto masa janë pjesë e përpjekjeve të Tel Avivit për të forcuar kontrollin mbi lagjen.

“Ajo që po shohim në Sheikh Jarrah përfaqëson një fazë të re në përpjekjet e Izraelit për të vulosur kontrollin mbi Kudsin Lindor”, ka thënë ai.

“Pas vitesh përpjekjesh të dështuara nga grupet e kolonëve për të dëbuar banorët, tani vetë Izraeli po e udhëheq këtë proces, duke përdorur mjete të reja ligjore, administrative dhe planifikuese për të forcuar praninë izraelite dhe për t’i shtyrë palestinezët të largohen”, ka theksuar Tatarsky.

Sipas tij, “ajo që po ndodh në Sheikh Jarrah nuk kufizohet në një lagje, por pasqyron një politikë të përgjithshme qeveritare për të riformësuar gjithë qytetin”.

Organizatat e kolonëve, të mbështetura nga qeveria, po kërkojnë të dëbojnë qindra palestinezë nga shtëpitë ku jetojnë që nga vitet 1950. Kolonët pretendojnë se toka u përkiste hebrenjve para vitit 1948, gjë që banorët palestinezë e mohojnë.

Në vitet e fundit, kolonët izraelitë të paligjshëm kanë uzurpuar disa shtëpi në lagjen Sheikh Jarrah dhe po përpiqen të marrin nën kontroll prona të tjera për të vendosur ngulime.

Palestinezët këmbëngulin se Kudsi Lindor është kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm, ndërsa Izraeli pretendon se i gjithë qyteti është kryeqyteti i tij.

Masat në Sheikh Jarrah janë pjesë e një vale më të gjerë të përshkallëzimit izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku 1.062 palestinezë janë vrarë, rreth 10.000 janë plagosur dhe mbi 20.000 të tjerë janë arrestuar, përfshirë 1.600 fëmijë, gjatë dy viteve të fundit.

Në një opinion historik dhënë në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın