Rama: Plani i azilit për vendet e treta tregon se Mbretëria e Bashkuar është në "një vend shumë të errët"
- "Një plan i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në 'qendrat e kthimit' në vendet e treta tregon se Britania pas Brexit-it është 'në një vend shumë të errët'", është shprehur Rama, cituar nga "The Guardian"

Tiranë
TIRANË (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar skemën e Britanisë për qendrat e kthimit të emigrantëve, gjatë një interviste për një media britanike, transmeton Anadolu.
Gazeta britanike "The Guardian" i ka kushtuar një artikull qëndrimeve të kryeministrit Rama për çështjen në fjalë dhe çështje të tjera.
"Një plan i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në 'qendrat e kthimit' në vendet e treta tregon se Britania pas Brexit-it është 'në një vend shumë të errët'", është shprehur Rama, cituar nga media në fjalë.
Sipas kryeministrit Rama, ideja që Mbretëria e Bashkuar që sipas tij dëshiron të "kërkojë vende për të larguar emigrantët" do të kishte qenë e pakonceptueshme një dekadë më parë.
"Është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë thjesht nuk do të kishte qenë e imagjinueshme, që Britania të kërkonte vende për të larguar emigrantët", është shprehur Rama.
Sipas gazetës, e njoftuar muajin e kaluar nga kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë një vizite në Shqipëri, skema e "qendrave të kthimit" do të përfshinte qendra në një vend të tretë që përpunojnë kërkesat e njerëzve të refuzuar për azil që kanë shteruar rrugët ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.
Më tej theksohet se nën qeveritë e mëparshme konservatore, marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë u bënë gjithnjë e më të tendosura, "të lënë në hije nga kalimet me anije dhe akuzat për emigrantë të paligjshëm shqiptarë që 'pushtonin' brigjet britanike".
Në artikull preket edhe çështja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e emigrantëve, ku theksohet se deri më tani është penguar nga kundërshtime ligjore.
Gjithashtu në artikull i kushtohet vëmendje edhe fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit dhe premtimeve të kryeministrit Rama për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.