Bota

Rama: Kemi nisur përgatitjet për tregun e përbashkët rajonal

Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në Kotor të Malit të Zi, ka në fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor

Fatjon Cuka  | 16.05.2024 - Përdıtësım : 17.05.2024
Rama: Kemi nisur përgatitjet për tregun e përbashkët rajonal Foto: Rusmin Radic / AA

Albania

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë sot në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në Kotor të Malit të Zi, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu.

Takimi rajonal që zhvillohet nën logon "Një rajon, vizion i përbashkët", pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, me fokus planin që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave dhe kryerjen e investimeve, që lidhen me avancimin e procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e mbajtur në një nga panelet e samitit, kryeministri Rama tha se përparimi që është shënuar nga të gjithë më vete dhe së bashku gjatë dy muajve e gjysmë të fundit, flet vetë.

"Kështu kemi përgatitur planet individuale të reformave, kemi identifikuar nismat kyçe, të cilat do të na sjellin gradualisht më pranë tregut të përbashkët dhe më së fundi kemi nisur përgatitjet për tregun e përbashkët rajonal", është shprehur Rama.

Rama theksoi se duhet të punojmë mbi mundësinë e planit të rritjes për të përgatitur vetveten për t’u integruar në tregun e përbashkët që sipas tij është shtylla e parë e planit.

"Ka ardhur koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital evropian. Individualisht, ne i kemi përfshirë si objektiva në planin tonë të reformave e synojmë të jemi gati në 2027. Presim që Komisioni të finalizojë Udhërrëfyesin që të kemi një shteg të qartë përcaktuar përpara, bazuar sigurisht mbi praktikat e rregulloreve evropiane", tha Rama.

Rama shtoi se bashkëpunimi më i fortë është i nevojshëm në fushën e emigracionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore, jo vetëm në rajon, por edhe midis rajonit dhe BE-së.

"Është synimi ynë për të thelluar bashkëpunimin për të gjitha fushat që kanë të bëjnë me tregtinë dhe doganat në BE, duke u përgatitur për anëtarësim të plotë në bashkimin doganor të BE-së. Dhe ato shtete që mund të hezitojnë dhe u referohen mospajtueshmërisë të rregulloreve e të gjitha gjërave kam vetëm një gjë për t’iu thënë se që prej vitit 1995 Türkiye ka një bashkim doganor me BE-në, kështu që në momentin që ka vullnet ne mund të gjejmë zgjidhje për të gjitha ndryshimet ligjore apo administrative", tha Rama.

Samiti është i konceptuar në dy panele me temë "Angazhimi dhe planet e së ardhmes" dhe "Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal", me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi dhe ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në Samit janë të pranishëm edhe drejtues e përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, si nga Komisionit Evropian, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Botërore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın