Bota

Rama: Jemi në një proces për të nisur monitorimin e territorit me dronë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve të adresuara në mediat sociale mbi aksionin e lirimit të hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje

Fatjon Cuka  | 21.07.2025 - Përdıtësım : 21.07.2025
Rama: Jemi në një proces për të nisur monitorimin e territorit me dronë

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se po punohet për të nisur monitorimin teknologjik të territorit me dronë, raporton Anadolu.

Rama u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve të adresuara në mediat sociale mbi aksionin e lirimit të hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.

Kryeministri Rama tha se janë shumë afër realizimit të kontrollit të territorit përmes teknologjisë.

"Ndërkohë jemi në një proces për të nisur edhe monitorimin teknologjik të strukturuar sepse kemi bërë testet e territorit, ku do mund të ndjekim gjithçka që ndodh në territor përmes dronëve dhe përmes informacionit të marrë nga dronët, gjë që do të bëjë që puna e inspektorëve dhe e syve në terren, të ballafaqohet me vëzhgimin e teknologjisë. Kjo do të na çojë në një nivel krejt tjetër dhe do të jemi shumë më të sigurt për mos prapakthimin e asnjë progresi në këtë drejtim", tha Rama.

Ai theksoi se lirimi i hapësirave publike në Tiranë ka qenë kërkesa kryesore e komunitetit.

"Kemi riorganizuar tërësisht veten, duke vendosur deputetet në një pozicion edhe më kërkues për sa i përket pikërisht të qëndruarit afër dhe të identifikuarit dhe të ndjekurit të problemeve në territoret e kujdestarisë së tyre dhe ka qenë absolutisht nga të katra anët e qytetit, e qartë kërkesa numër një e komunitetit, na çlironi hapësirat publike", u shpreh Rama.

Rama shtoi se janë në kushtet e një mobilizimi për t'i dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë dhe shteruese shqetësimit të qytetarëve në kryeqytet dhe qytetet e mëdha, sipas tij, "për asfiksimin e hapësirave publike".

Në Shqipëri vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, i nisur në javën e parë të korrikut.

Sipas institucioneve shqiptare, hapësirat publike janë zënë nga bizneset në kundërshtim me ligjet, ndërkohë pritet që ky aksion të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.