Qyteti palestinez i krishterë në Bregun Perëndimor përballet me rritje të pushtimeve të kolonëve
Banorët gjithashtu përballen me kufizime në rritje, duke përfshirë pikat e kontrollit dhe barrierat që kufizojnë lëvizjen në të gjithë Bregun Perëndimor
Bruksel
Kolonët e paligjshëm izraelitë kanë rritur inkursionet në qytetin palestinez Taybeh, komuniteti i fundit plotësisht i krishterë në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha të enjten prifti latin i famullisë së qytetit, transmeton Anadolu.
Ati Bashar Fawadleh tha për Radio Vatikanin se incidentet e fundit shënojnë një ndryshim, me sulme që zgjerohen përtej zonave lindore të qytetit. Ai tha se policia izraelite reagoi rreth një orë pasi u njoftua, por kolonët u kthyen menjëherë pasi u larguan.
"Policia erdhi një orë pas telefonatës sonë... pas kësaj ata u kthyen pas 15 ose 30 minutash. Dhe tani ata janë brenda tokës," tha Fawadleh.
Ai paralajmëroi se inkursionet mund të jenë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zgjeruar kontrollin e vendbanimeve përgjatë një korridori që shtrihet nga lindja e Kudsit drejt Luginës së Jordanit. Taybeh, i cili shtrihet në rreth 4.000 hektarë, është gjithnjë e më i prekshëm nga pushtimi i tokës, shtoi ai.
Banorët gjithashtu përballen me kufizime në rritje, duke përfshirë pikat e kontrollit dhe barrierat që kufizojnë lëvizjen në të gjithë Bregun Perëndimor.
Duke i përshkruar kushtet si "shumë të vështira", Fawadleh bëri thirrje për paqe dhe drejtësi. “Ne jemi një popull civil palestinez. Duam të jetojmë në paqe. Duam të jetojmë në drejtësi”, tha ai, duke kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare.
Burime lokale të cituara nga Vatican News thanë se kolonët hynë në një fabrikë çimentoje dhe gurore në periferinë perëndimore të qytetit të mërkurën, ku kryen rituale fetare dhe ngritën një flamur izraelit.
Që nga fillimi i luftës në Gaza më 8 tetor 2023, sulmet nga forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm në Bregun Perëndimor kanë vrarë 1.133 palestinezë, kanë plagosur rreth 11.700 të tjerë dhe kanë çuar në arrestimin e rreth 22.000 njerëzve.
Përveç vrasjeve dhe arrestimeve, forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë kryer prishje shtëpish, shkatërrim pronash, zhvendosje dhe zgjerim të vendbanimeve në të gjithë territorin e pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, të cilin komuniteti ndërkombëtar e konsideron territor të pushtuar.
Në një mendim historik në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
