Qyteti Ashkelon në Izrael hapë strehimore publike mes përshkallëzimit rajonal
Masa vjen mes shqetësimeve për një sulm të mundshëm të SHBA-së ndaj Iranit
Stamboll
Autoritetet në qytetin jugor të Izraelit, Ashkelon, hapën sot strehimore publike mes shqetësimeve për një sulm të mundshëm të SHBA-së kundër Iranit, transmeton Anadolu.
Komuna e Ashkelonit në një deklaratë të postuar në llogarinë e saj në Telegram tha se vendimi erdhi pas shpalljes së gjendjes së gatishmërisë maksimale të mërkurën vonë për shkak të tensioneve në rritje rajonale.
"Aktualisht nuk ka asnjë paralajmërim ose tregues konkret të një kërcënimi të drejtpërdrejtë për qytetin e Ashkelonit", tha komuna duke shtuar se masa synon të "rrisë ndjenjën e sigurisë së banorëve".
Vendimi pasoi një njoftim nga ushtria izraelite të mërkurën vonë se kishte rritur gatishmërinë e saj mbrojtëse dhe po monitoronte nga afër zhvillimet rajonale. Ky njoftim i shtyu komunat në Beersheba, Gan Yavne dhe Dimona në Izraelin jugor dhe qendror të hapnin strehimore publike po atë mbrëmje.
Presioni i SHBA-së dhe Izraelit ndaj Teheranit është intensifikuar që kur protestat antiqeveritare shpërthyen në Iran më 28 dhjetor për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike dhe të jetesës.
Transmetuesi publik i Izraelit tha të mërkurën se vlerësimet izraelite tregojnë se SHBA-ja mund të synojë Iranin "në ditët në vijim", duke shtuar se Izraeli pret të marrë njoftim paraprak disa orë para çdo sulmi.
Zyrtarët izraelitë e kanë akuzuar vazhdimisht Iranin për rindërtimin e kapaciteteve të tij të raketave balistike të dëmtuara në një luftë 12-ditore në qershor. Izraeli ka kërkuar miratimin e SHBA-së për të synuar përsëri Iranin, sipas mediave izraelite.
Izraeli dhe Irani e konsiderojnë njëri-tjetrin si armiq të betuar dhe për vite me radhë kanë shkëmbyer akuza për operacione sabotimi dhe sulme kibernetike.
