Qytetarët përballen me kufizime në pikat e karburanteve në Slloveni
Qytetarëve u lejohet deri në 50 litra në ditë, personave juridikë deri në 200 litra
Lubjanë
Vendosja e një kufizimi të përkohshëm të karburantit, i cili hyri në fuqi të shtunën në mesnatë ka shkaktuar turma në pikat e karburanteve në të gjithë Slloveninë, raporton Anadolu.
Qëllimi i masës së emergjencës është të zvogëlojë problemet në furnizimin me produkte të naftës, por dita e parë e zbatimit u shënua nga radhë dhe vonesa në lokacionet kyçe.
Sipas masave të miratuara, lejohet maksimumi 50 litra karburant në ditë në një pikë karburanti për një person fizik dhe 200 litra për një person juridik dhe një person fizik që kryen një aktivitet, përfshirë atë bujqësor. Kufizimet do të zbatohen deri në njoftim të mëtejshëm.
Ushtria Sllovene është gjithashtu e përfshirë në shpërndarjen e karburantit, me anëtarë që ndihmojnë me transportin dhe furnizimin. Autoritetet u kanë bërë thirrje shpërndarësve të koordinojnë shpërndarjet nga depot në pikat e karburanteve në mënyrë që të përshpejtojnë shpërndarjen dhe të rrisin efikasitetin e furnizimit.
Shitësit me pakicë të karburanteve duhet t'i paraqesin qeverisë raporte të rregullta mbi situatën në pikat e karburanteve, bazuar në të cilat autoritetet do të vendosin për çdo masë shtesë.
Kryeministri slloven Robert Golob njoftoi se po shqyrtohen masa që do të kufizojnë posaçërisht shitjen e karburantit për qytetarët e huaj dhe u rekomandua që shitësit me pakicë të përgatisin hapat e duhur në këtë drejtim.
Problemet e furnizimit janë më të theksuara në kompaninë "Petrol", të cilën kryeministri e kritikoi, ndërsa kompania tha se po bën përpjekje maksimale për të siguruar furnizim të qëndrueshëm në rrjet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
