Qindra qytetarë protestojnë kundër projektligjit të anti-korrupsionit në Lviv të Ukrainës
Parlamenti ukrainas e miratoi projektligjin më herët gjatë ditës, duke i hequr në mënyrë efektive të dyja agjencive të anti-korrupsionit statusin e tyre të pavarur

Lviv
Qindra ukrainasë janë tubuar në Lviv për të protestuar kundër një projektligji kundër korrupsionit të nënshkruar nga presidenti Volodymyr Zelenskyy javën e kaluar, i cili redukton pavarësinë e Byrosë Kombëtare të Anti-Korrupsionit të Ukrainës (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Anti-Korrupsionit (SAPO), raporton Anadolu.
Presidenti Zelenskyy nënshkroi një projektligj që kufizon autonominë e agjencive NABU dhe SAPO. Dokumenti u publikua në faqen zyrtare të parlamentit të Ukrainës, e cila theksoi se projektligji është rikthyer me nënshkrimin e presidentin.
Parlamenti e miratoi projektligjin më herët gjatë ditës, duke i hequr në mënyrë efektive të dyja agjencive të anti-korrupsionit statusin e tyre të pavarur.
Ligji i ri i vendos agjencitë NABU dhe SAPO nën mbikëqyrjen e prokurorit të përgjithshëm, i cili emërohet dhe shkarkohet nga presidenti me miratimin e parlamentit.
Në një video-adresim në mbrëmje, Zelenskyy tha se ka zhvilluar biseda gjatë ditës me zyrtarë kyç, përfshirë drejtorin e NABU-së, Semen Kryvonos dhe prokurorin e SAPO-s, Oleksandr Klymenko, ku u diskutuan “sfida të ndryshme”.
“Infrastruktura e anti-korrupsionit do të funksionojë vetëm pa ndikim rus. Ajo duhet të pastrohet nga ky ndikim. Dhe duhet të ketë më shumë drejtësi”, tha Zelenskyy.
“Sigurisht, NABU dhe SAPO do të vazhdojnë të punojnë. Dhe është e rëndësishme që Prokurori i Përgjithshëm është i vendosur të sigurojë që në Ukrainë ndëshkimi për ata që shkelin ligjin të jetë i pashmangshëm. Kjo është ajo që Ukrainës i nevojitet vërtet”, tha ai.
Presidenti ukrainas theksoi se rastet që kanë qenë “në gjumë” për një kohë të gjatë duhet të hetohen, duke argumentuar se zyrtarët që kanë ikur nga Ukraina “po jetojnë në vende shumë të mira dhe pa pasoja ligjore” për vite me radhë.
“Kjo nuk është normale. Nuk ka shpjegim racional përse procedime penale me vlerë miliarda janë pezulluar për vite me radhë. Dhe nuk ka shpjegim përse rusët ende mund të marrin informacionin që u nevojitet”, shtoi ai.
Pas miratimit të ligjit në parlament, Kryvonos i bëri thirrje publike Zelenskyyt që të vendosë veton ndaj ligjit, duke paralajmëruar se miratimi i tij mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit evropian të Ukrainës dhe t’i shndërrojë të dyja agjencitë e anti-korrupsionit në agjenci “të varura”.
Ndërkohë, protesta shpërthyen në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe në qytete të tjera, ku aktivistët kërkuan nga Zelenskyy të vendosë veton ndaj projektligjit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.