Qindra mijëra njerëz në SHBA pritën Vitin e Ri në "Times Square" të New Yorkut
Kur ora shënoi 23:59, kryetari i bashkisë së New Yorkut, Eric Adams, shtypi një buton dhe një top i ndriçuar i kristalit filloi të zbriste për një periudhë prej 60 sekondash
New York
Qindra mijëra njerëz e kanë pritur Vitin e Ri në “Times Square” në New York të SHBA-së, vendi më popullor për festimet e ndërrimit të motmoteve në botë, raporton Anadolu.
Qindra mijëra njerëz, kryesisht banorë të New Yorkut, si dhe njerëz nga shtete të ndryshme amerikane dhe turistë të huaj, u kontrolluan një nga një në postblloqet e ngritura nga Departamenti i Policisë së New Yorkut.
Policia nuk lejoi të silleshin çadra, çanta shpine, alkool dhe pako të mëdha në zonën ku u organizua festa e Vitit të Ri dhe u morën masa të gjera sigurie kundër kërcënimeve të mundshme terroriste.
Programi, i cili filloi në orën 18:00 me kohën lokale, vazhdoi deri në mesnatë me koncerte nga muzikantë të ndryshëm, shfaqje nga grupe vallëzimi dhe aktivitete të ndryshme argëtuese pavarësisht shiut.
Kur ora shënoi 23:59, kryetari i bashkisë së New Yorkut, Eric Adams, shtypi një buton dhe një top i ndriçuar i kristalit filloi të zbriste për një periudhë prej 60 sekondash.
Topi i kristalit, me një diametër prej 3,6 metrash dhe me peshë afërsisht 5,5 tonë, i përbërë nga më shumë se 32.000 drita LED, filloi të zbriste në shtyllën 21 metra me një numërim mbrapsht.
Së bashku me topin e kristaltë, më shumë se një ton konfeti dhe mjete piroteknike u hodhën nga ndërtesat në minutat e para të vitit të ri, duke krijuar një pamje të bukur në Times Square.
Në të njëjtën kohë, në pika të ndryshme të qytetit u lëshuan fishekzjarrë, veçanërisht rreth Statujës së Lirisë, një nga simbolet më të rëndësishme të New Yorkut.
Rreth 1 miliard njerëz në mbarë botën kanë ndjekur festimet në New York, të cilat u transmetuan drejtpërdrejt në kanalet kombëtare, portalet e internetit dhe mediat sociale.
Festimi i Vitit të Ri në Times Square, i cili tërheq vëmendjen mbarëbotërore, ka qenë i hapur për publikun që nga viti 1904, me përjashtim të Luftës së Dytë Botërore dhe periudhës së pandemisë Covid-19.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
