Bota

Qeveria në Gaza: Pas bllokadës 81-ditore, në Gaza kanë hyrë kamionët e parë me ndihma

"Deri më tani, 87 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza. Kjo është hyrja e parë pas bllokadës 81-ditore", tha drejtori i zyrës së medias së qeverisë në Gaza, Ismail Al-Thawabteh

Nour Mahd Ali Abuaisha, Ramzi Mahmud, Ömer Erdem  | 22.05.2025 - Përdıtësım : 22.05.2025
Qeveria në Gaza: Pas bllokadës 81-ditore, në Gaza kanë hyrë kamionët e parë me ndihma

Gaza

Zyra e medias e qeverisë në Gaza njoftoi se që nga bllokada 81-ditore e vendosur nga Izraeli, për herë të parë në rajon kanë hyrë 87 kamionë me ndihma, të ndarë kryesisht për organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare, raporton Anadolu.

Drejtori i zyrës së medias së qeverisë në Gaza, Ismail Al-Thawabteh, tha për Anadolu se "Deri më tani, 87 kamionë me ndihma kanë hyrë në Gaza. Kjo është hyrja e parë pas bllokadës 81-ditore".

Al-Thawabteh deklaroi se ndihma u dërgua për t'u shpërndarë përmes organizatave ndërkombëtare dhe lokale me qëllim për të përmbushur nevojat humanitare.

Nga ana tjetër, Nahed Shahiber, kreu i Shoqatës së Transportuesve Privatë të Gazës, në një deklaratë për Anadolu u shpreh se numri i kamionëve që transportojnë ndihma është 92.

"5 nga kamionët transportuan miell në furrat e bukës në rajonet jugore dhe qendrore. Ndihma u shpërnda nëpërmjet pikës kufitare Kerem Ebu Salim", theksoi Shahiber.

Ai deklaroi se nuk mund të sigurohet asnjë kalim përmes Korridorit Netzarim, i cili përdoret për të dërguar ndihma në Gaza dhe rajonet veriore, dhe se ushtria izraelite e ka mbyllur këtë rrugë.

Shahiber gjithashtu tha se 12 kamionë që i përkasin UNICEF-it po transportojnë ushqime plotësuese për fëmijët dhe se këto u shkarkuan në qytetin Deir al-Balah, ndërsa 5 kamionë po transportojnë sheqer dhe artikuj të ndryshëm ushqimorë të dërguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Zyra e Medias e qeverisë theksoi se Gaza ka nevojë urgjente për të paktën 500 kamionë me ndihma dhe 50 kamionë me karburant çdo ditë, duke shtuar se mbyllja e pikave kufitare nga Izraeli e ka thelluar urinë.

Ministrja e Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger, tha dje se mbështet vendimin e Bashkimit Evropian (BE) për të rishikuar marrëveshjen e partneritetit që i jep privilegje tregtare Izraelit, duke shtuar se situata në Gaza është në përmasa të padurueshme.

Në orët e mëpasshme në të njëjtën ditë, qeveria e Gazës njoftoi se Izraeli ka penguar kalimin e kamionëve me ndihma që prisnin në pikën kufitare Karem Abu Salem për të tretën ditë dhe se kjo ishte kundër angazhimeve ndërkombëtare.

Ushtria izraelite, e cila ka intensifikuar sulmet e saj ndaj civilëve në Rripin e Gazës, njoftoi se ka filluar ofensivat tokësore që do ta zgjerojnë pushtimin dhe do ta bëjnë atë të përhershëm.

Ushtria izraelite ka lëshuar nga ajri fletushka duke i kërcënuar palestinezët me sulme, veçanërisht në Gazën veriore dhe zona të tjera, dhe duke i urdhëruar ata të lëvizin në jug.

Kombet e Bashkuara, grupet e të drejtave të njeriut dhe institucionet ndërkombëtare të ndihmës kanë paralajmëruar se sulmi tokësor i ushtrisë izraelite do të përkeqësojë edhe më tej situatën humanitare tashmë katastrofike.

Në shtypin izraelit u raportua se Izraeli ka ngritur "kampe përqendrimi" në jug të Rripit të Gazës, ku do të shpërndante ndihmë të kufizuar humanitare pas dëbimit të palestinezëve.

Nëpërmjet imazheve satelitore u zbulua se ushtria izraelite ishte përgatitur për këtë duke rrafshuar zona të mëdha në qytetin Rafah në jug të Gazës.

Izraeli po ndjek një ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 53.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın