Qeveria në Gaza: Më shumë se 40 mijë foshnje nën 1 vjeç nën rrezik të "vdekjes së ngadaltë"
- "Për shkak të bllokadës mbytëse dhe kriminale, më shumë se 40.000 foshnje nën një vjeç në Rripin e Gazës janë në rrezik të një vdekjeje të ngadaltë", thuhet në deklaratë
Istanbul
STAMBOLL (AA) - Më shumë se 40.000 foshnje nën një vjeç janë në rrezik të një "vdekjeje të ngadaltë" për shkak të kequshqyerjes në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka shkaktuar vdekje nga uria duke kufizuar hyrjen e ushqimit për foshnje dhe ndihmës humanitare, transmeton Anadolu.
Një deklaratë e bërë nga Zyra për media e qeverisë së Gazës thekson se jeta e dhjetëra mijëra foshnjeve është në rrezik në Gaza, ku Izraeli ka bllokuar për 150 ditë ushqimin për foshnje. Thuhet se Gaza nën bllokadën e Izraelit që kufizon ndihmën humanitare, është në prag të një "katastrofe humanitare të paparë", duke kërcënuar jetën e foshnjave.
"Për shkak të bllokadës mbytëse dhe kriminale, më shumë se 40.000 foshnje nën një vjeç në Rripin e Gazës janë në rrezik të një vdekjeje të ngadaltë", theksohet në deklaratë.
Më tej bëhet thirrje për rihapjen e menjëhershme të pikave kufitare të Gazës të cilat Izraeli i ka mbajtur të mbyllura që nga 2 marsi dhe për shpërndarjen urgjente të ushqimit për foshnje dhe ndihmës humanitare në rajon.
"Për çdo jetë të pafajshme të humbur për shkak të bllokadës që Izraeli ka zbatuar ndaj Gazës" janë mbajtur përgjegjës jo vetëm qeveria pushtuese izraelite, por edhe shtetet dhe komuniteti ndërkombëtar që e mbështesin atë".
- Gaza po "vdes nga uria"
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën një rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.
Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Deri më sot, 134 palestinezë, përfshirë 88 fëmijë, kanë vdekur nga uria në Gaza.
Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor "urinë dhe etjen si armë".
Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke bombarduar edhe infrastrukturën civile, shpeshherë shënjestron palestinezët që ka zhvendosur me urdhra të dëbimi në zonat ku ata strehohen.
Numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e dëbimit të Izraelit në Gazan e cila ka një popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, raportohet të ketë arritur në 2 milionë dhe se shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku mungojnë furnizimet higjienike ndërsa lavamanët janë të pamjaftueshëm dhe sëmundjet infektive po përhapen.
Ndërkohë, ushtria izraelite kryen sulme të përditshme duke shënjestruar tendat dhe strehimoret civile të të zhvendosurve. Që nga 7 tetori 2023, të paktën 59.821 palestinezë janë vrarë dhe 144.851 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës.
