Bota

Qeveria irakiane: "Grupet kriminale" synojnë protestuesit në Bagdad

"Në dritën e rezultateve të një hetimi paraprak të ngjarjeve në sheshin Tahrir, shërbimet e sigurisë monitoruan grupe të rrezikshme kriminale që kërkonin të krijonin kaos", tha Ministria e Brendshme

Mahmoud Mohamed Barakat  | 28.07.2020 - Përdıtësım : 28.07.2020
Qeveria irakiane: "Grupet kriminale" synojnë protestuesit në Bagdad

Bagdad

Ministria e Brendshme e Irakut bëri të ditur se protestuesit irakianë në Bagdad janë shënjestruar nga "grupe kriminale" që synojnë të ngjallin kaos në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Në dritën e rezultateve të një hetimi paraprak të ngjarjeve në sheshin Tahrir, shërbimet e sigurisë monitoruan grupe të rrezikshme kriminale që kërkonin të krijonin kaos", tha ministria në një deklaratë.

Sipas deklaratës, këto grupe kërkojnë të shkaktojnë përplasje me sigurinë duke synuar protestuesit.

Të dielën, dy persona humbën jetën dhe 11 të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve midis protestuesve dhe forcave të sigurisë afër shesheve Tahrir dhe Al-Khalani në Bagdadin qendror.

Po ashtu 13 protestues u plagosën të hënën mbrëma pas përleshjeve të reja me forcat e sigurisë.

Protestat e fundit në kryeqytet u përqendruan në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe dhënien fund korrupsionit.

Ministria deklaroi se "direktivat e komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura përcaktojnë se plumbat e vërtetë nuk duhet të përdoren kundër protestuesve për ndonjë arsye".

Ministria, megjithatë, nuk përmendi ndonjë informacion shtesë në lidhje me "grupet kriminale".


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın