Bota

Qeveria holandeze rrëzohet pasi partia e ekstremit të djathtë PVV tërhiqet nga koalicioni

VVD-ja konservatore, NSC-ja e qendrës dhe partia e fermerëve BBB, nuk arritën një marrëveshje me udhëheqësin e PVV-së, Geert Wilders, i cili kishte kërkuar kufizime të gjera mbi politikat holandeze të azilit dhe emigracionit

Necva Taştan Sevinç  | 03.06.2025 - Përdıtësım : 03.06.2025
Qeveria holandeze rrëzohet pasi partia e ekstremit të djathtë PVV tërhiqet nga koalicioni

Stamboll

Rrëzohet qeveria holandeze e udhëhequr nga kryeministri Dick Schoof, pasi Partia për Liri (PVV) e ekstremit të djathtë u tërhoq nga koalicioni qeverisës për shkak të mosmarrëveshjeve të pazgjidhura mbi politikën e azilit dhe emigracionit, transmeton Anadolu.

Partnerët e koalicionit, VVD-ja konservatore, NSC-ja e qendrës dhe partia e fermerëve BBB, nuk arritën një marrëveshje me udhëheqësin e PVV-së, Geert Wilders, i cili kishte kërkuar kufizime të gjera mbi politikat holandeze të azilit dhe emigracionit.

"Nuk ka nënshkrim, nuk ka përshtatje, kështu që PVV largohet nga koalicioni", tha Wilders në X.

Wilders, partia e të cilit mban një rol kyç në koalicion, këmbënguli që marrëveshjes së koalicionit t'i shtohen dhjetë masa të reja të ashpra, duke përfshirë mbylljen e kufijve për azilkërkuesit, rritjen e kontrolleve ushtarake kufitare, më pak qendra azili dhe deportimin e refugjatëve sirianë që mbajnë leje të përkohshme qëndrimi, sipas lajmeve të VRT.

"Nëse nuk ndryshon asgjë ose nuk ka ndryshime të mjaftueshme, PVV-ja do të largohet", kishte kërcënuar Wilders një ditë më parë.

Ndërkohë, udhëheqësit e partive të tjera të koalicionit reaguan me zemërim dhe zhgënjim.

Liderja e VVD-së, Dilan Yesilgoz tha se "Ai zgjodhi egon dhe interesat e tij. Jam e habitur. Ai e humbin mundësinë për një politikë të krahut të djathtë. Kjo është jashtëzakonisht e papërgjegjshme".

Kryetarja e BBB-së, Caroline van der Plas, gjithashtu e dënoi këtë veprim. "Ai i mban të gjitha kartat dhe po e tërheq qëllimisht prizën", u shpreh ajo.

Kryetarja e NSC-së, Nicolien van Vroonhoven, shtoi se takimi kishte qenë i panevojshëm, duke thënë se ata tashmë po punonin për disa nga shqetësimet e Wilders.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.