Qeveria gjermane reagon me hezitim për të pranuar fëmijë të traumatizuar nga Gaza
Qytetet gjermane Hannover dhe Dusseldorf njoftuan javën e kaluar se donin të pranonin fëmijë të traumatizuar nga enklava e shkatërruar nga lufta, në pritje të miratimit të Ministrisë së Brendshme

Berlin
Qeveria gjermane reagoi me hezitim ndaj planeve të qyteteve Hanover dhe Dusseldorf për të pranuar fëmijë të traumatizuar nga Rripi i Gazës i goditur nga lufta, transmeton Anadolu.
"Fizibiliteti i iniciativave të tilla varet në mënyrë vendimtare nga situata e sigurisë, mundësia e largimit nga vendi dhe faktorë të tjerë", tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Lars Harmsen në një konferencë për media.
"Projektet konkrete po zhvillohen aktualisht me partnerët përgjegjës. Fokusi kryesor është në zgjerimin e ndihmës mjekësore në nivel lokal dhe rajonal", shtoi ai.
Hanoveri dhe Dusseldorfi njoftuan javën e kaluar se donin të pranonin fëmijë veçanërisht të prekshëm ose të traumatizuar nga Rripi i Gazës dhe Izraeli. Nga ana tjetër, Hanoveri tha se ishte gati të pranonte deri në 20 fëmijë të traumatizuar.
Megjithatë, kjo do të kërkonte mbështetje politike nga qeveria federale për procedurat e hyrjes, përzgjedhjen dhe koordinimin mjekësor. Sipas Harmsen, nuk ka patur "asnjë kërkesë" nga asnjë qytet gjerman për të pranuar fëmijët nga enklava e shkatërruar nga lufta.
Më herët gjatë ditës, shefi i Shtabit të Kancelarisë, Thorsten Frei tha se ishte e rëndësishme, para së gjithash, të ndihmohej në terren. Çelësi është të ndihmohen sa më shumë njerëz të jetë e mundur, tha për transmetuesin privat RTL/n-tv.
"Dhe kjo është arsyeja pse unë do të isha gjithmonë i kujdesshëm në lidhje me çështjen se deri në çfarë mase mund të fluturohet jashtë vendit", shtoi ai.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha të dielën se bllokada "de facto" e Gazës nga Izraeli po shkakton uri dhe po çon në vdekjen e civilëve.
"Ne kemi vërejtur prej kohësh se bllokada 'de facto' e Rripit të Gazës nga Izraeli po shkakton uri, duke çuar në vdekjen, vuajtjen dhe mbetjen pa ujë të njerëzve", i tha Wadephul transmetuesit gjerman "Deutschlandfunk", pas vizitës së tij të fundit në Izrael dhe Palestinë.
Wadephul tha se ai dha mesazh të qartë gjatë takimeve me zyrtarët izraelitë se situata humanitare në Gaza duhet të "ndryshojë rrënjësisht". "Shpresoj që ky mesazh të jetë dëgjuar. Kam përshtypjen se është dëgjuar", tha ai.
Ministri paralajmëroi se Izraeli rrezikon të izolohet mes shqetësimit global në rritje për sjelljen e tij në Gaza.