Përmbytjet në veri të Pakistanit shkaktojnë vdekjen e të paktën 49 personave
Presidenti pakistanez, Asif Ali Zardari, shprehu keqardhje dhe pikëllim për humbjet dhe u kërkoi autoriteteve të përshpejtojnë përpjekjet e shpëtimit dhe ndihmës në zonat e prekura nga përmbytjet

Islamabad
Të paktën 49 persona kanë vdekur në përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në veriperëndim të Pakistanit, transmeton Anadolu.
Zyrtarët pakistanez njoftuan se të paktën 49 persona kanë vdekur si pasojë e përmbytjeve, të cilat kanë vazhduar që nga dje, dhe se ekipet e shpëtimit kanë evakuuar 1.300 turistë të bllokuar në rajonin malor të prekur nga rrëshqitjet e dheut.
Autoritetet vunë re se më shumë se 360 persona, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë vdekur në incidente të lidhura me shiun në të gjithë Pakistanin që nga 26 qershori, duke theksuar se vdekjet e fundit kanë ndodhur kryesisht në Pakistanin verior dhe veriperëndimor.
Zyrtari i Rajonit Gilgit Baltistan, Faizullah Faraq, njoftoi se të paktën 10 persona vdiqën dje në përmbytjet e menjëhershme në qytezën Ghazar.
Nga ana tjetër, zyrtari i kërkim-shpëtimit Amjad Khan raportoi se 16 persona vdiqën në distriktin Bajaur të provincës veriperëndimore të Khyber Pakhtunkhwa, dhe 17 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi u rrëmbyen nga ujërat përmbytjeve.
Zyrtari qeveritar Saleem Khan tha se përmbytjet e menjëhershme goditën gjithashtu rajonin veriperëndimor të Battagram, ku si pasojë kanë humbur jetën 10 persona dhe janë të zhdukur 18 të tjerë.
Sipas zyrtarëve shtetërorë të menaxhimit të fatkeqësive, shtatë persona humbën jetën dje në incidente të lidhura me shiun në Azad Kashmirin e kontrolluar nga Pakistani.
Presidenti pakistanez, Asif Ali Zardari, shprehu keqardhje dhe pikëllim për humbjet dhe u kërkoi autoriteteve të përshpejtojnë përpjekjet e shpëtimit dhe ndihmës në zonat e prekura nga përmbytjet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.