Përmbytje në RD të Kongos, më shumë se 2.500 familje pa strehë
Udhëheqësi i shoqërisë civile bën thirrje për ndihmë pas daljes së lumenjve në provincën Maniema
Kigali
Më shumë se 2.500 familje kanë mbetur pa strehë pasi dy lumenj dolën nga shtrati dhe përmbytën disa fshatra në Republikën Demokratike të Kongos, njoftoi një udhëheqës i shoqërisë civile të dielën vonë, transmeton Anadolu.
Shirat e rrëmbyeshëm në provincën Maniema në ditët e fundit shkaktuan përmbytjen e lumit Kongo dhe lumit Ulindi, duke zhvendosur qindra banorë në fshatrat Kasera, Tubila dhe Ulindi, tha Jean-Claude Ngoy, kreu i shoqërisë civile në territorin Punia.
"Të paktën 2.533 familje u prekën pasi shtëpitë e tyre u përmbytën nga ujërat. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve provinciale dhe kombëtare si dhe aktorëve humanitarë për mbështetje", u tha Ngoy gazetarëve.
Ai tha se përmbytjet shkatërruan gjithashtu infrastrukturën, përfshirë shkollat, objektet shëndetësore dhe burimet e ujit të pijshëm.
Një ekip vlerësimi i përbërë nga autoritete lokale, përfaqësues të shoqërisë civile dhe udhëheqës të komunitetit zbuloi se banorët e prekur mund të përballen me urinë sepse plantacionet e tyre ushqimore dhe pellgjet e peshqve ishin përmbytur, tha Ngoy.
