Përmbytje dhe rrëshqitje të tokës në Sri Lanka, 56 të vdekur dhe 21 të zhdukur
"Rreth 44 mijë njerëz janë prekur rëndë nga moti i keq", njoftoi Qendra e Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit
Istanbul
Të paktën 56 persona kanë humbur jetën dhe 21 të tjerë janë zhdukur në përmbytjet masive dhe rrëshqitjet e tokës në të gjithë Sri Lankën, transmeton Anadolu.
Operacionet e shpëtimit vazhdojnë në zonat e goditura rëndë ndërsa vendi ishullor mbetet nën kushte të rënda moti, përfshirë reshje të dendura shiu, rritje të nivelit të ujërave të përmbytjeve dhe rrëshqitje toke që nga 17 nëntori, raportoi sot gazeta lokale "Daily Mirror".
Sipas Qendrës së Menaxhimit të Fatkeqësive, 14 persona janë plagosur ndërsa mbi 43.991 individë nga 17 lagje janë prekur rëndë nga moti i keq.
Presidenti i Sri Lankës, Anura Kumara Dissanayake ka urdhëruar vendosjen e më shumë se 20 mijë anëtarëve të personelit ushtarak për të kryer operacione shpëtimi. Lagjja Batticaloa ka regjistruar mbi 300 milimetra reshje shiu, një sasi jashtëzakonisht e lartë për një periudhë të vetme.
Një sistem me presion të ulët ka gjeneruar erëra të forta dhe valë të përsëritura reshjesh intensive mbi vendin. Autoritetet lëshuan alarm të kuq për rrëshqitje dheu për tetë rrethe me rrezik të lartë, duke sinjalizuar rrezik të rëndë për shpatet e pjerrëta, komunitetet në kodra dhe zonat e cenueshme.
Banorëve në këto rrethe u është kërkuar të qëndrojnë në gatishmëri të lartë, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të jenë të përgatitur për evakuim të menjëhershëm.
