Përmbytet anija me migrantë Rohingya në brigjet e Malajzisë dhe Tajlandës, 13 të vdekur
"Presim të zbulojmë më shumë viktima sot, pasi modelet e rrymave të detit në zonën e kërkimit tregojnë se ata po shkojnë drejt ujërave malajziane", tha admirali detar, Romli Mustafa
Istanbul
Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë shpëtuar sot, pasi një varkë që mbante dhjetëra migrantë, kryesisht Rohingya, u përmbys pranë kufirit detar midis Malajzisë dhe Tajlandës, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Bernama të Malajzisë, shtatë trupa u gjetën nga autoritetet malajziane ndërsa zyrtarët tajlandezë gjetën gjashtë të tjerë.
"Presim të zbulojmë më shumë viktima sot, pasi modelet e rrymave të detit në zonën e kërkimit tregojnë se ata po shkojnë drejt ujërave malajziane", u tha gazetarëve të hënën admirali detar, Romli Mustafa.
Ai shtoi se operacioni i kërkim-shpëtimit është zgjeruar për të mbuluar më shumë se 250 milje katrorë detarë.
Grupi i migrantëve ishte nisur nga Mianmari me një anije të madhe që mbante rreth 300 persona, e cila më vonë i transferoi pasagjerët në tre anije më të vogla. Njëra prej këtyre anijeve u përmbys më pas, ndërsa fati i dy të tjerëve mbetet i panjohur, thonë raportet e mediave.
Rohingyat, një pakicë kryesisht muslimane në Mianmar, përballen me abuzim, diskriminim dhe pashtetësi, duke ikur shpesh nga Mianmari.
Mianmari është përfshirë nga lufta civile që nga grushti ushtarak i shtetit në vitin 2021, me përleshjet e vazhdueshme etnike që e përkeqësojnë krizën humanitare.
