Istanbul
Përleshjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias vazhduan për ditën e katërt sot, duke detyruar më shumë njerëz të largohen nga zonat kufitare dhe duke rritur numrin e viktimave në 16, transmeton Anadolu.
Ministri i Lartë i Kamboxhias, Gjenerali Kun Kim, tha se aktualisht 130.000 deri 150.000 njerëz janë strehuar në vende të përkohshme, sipas “Khmer Times”.
Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias tha se forcat tajlandeze “vazhduan të sulmojnë” zonat kufitare dhe lokacionet kulturore me “armë të rënda dhe avionë F-16”, sipas Agjencisë shtetërore “Kampuchea Presse”. Ministria e Brendshme tha se që nga e hëna, dhjetë civilë kamboxhianë kanë humbur jetën dhe rreth 60 janë plagosur.
Phnom Penhi gjithashtu ka dërguar letër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mërkurën, duke akuzuar Tajlandën për “akte të armatosura agresive, të paligjshme dhe në rritje”.
- Shpërndarja e parlamentit nuk do të ndërpresë operacionet e sigurisë, thotë kryeministri tajlandez
Ushtria Mbretërore Tajlandeze pretendoi se forcat kamboxhiane kanë kryer “sulme të vazhdueshme përgjatë kufirit Tajlandë–Kamboxhia që nga 7 dhjetori, duke qëlluar me armë të vogla dhe të rënda në territorin tajlandez, përfshirë zona civile dhe objekte mjekësore”, sipas “Thai Enquirer”.
Duke iu përgjigjur akuzave të Kamboxhias për dëmtime të civilëve dhe vendeve të trashëgimisë, Ushtria Tailandeze tha se inteligjenca e saj ka treguar se “forcat kamboxhiane kanë vendosur pozicione ushtarake brenda komuniteteve civile, ndërtesave të kazinove dhe vendeve historike, duke i përdorur ato në mënyrë efektive si mburoja”, raportoi media.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës, Surasant Kongsiri, tha të mërkurën se “më shumë se 400.000 njerëz janë evakuuar në strehimore të sigurta”.
Përleshjet që nga e hëna gjithashtu kanë shkaktuar vdekjen e gjashtë ushtarëve tajlandezë dhe kanë zhvendosur më shumë se gjysmë milioni njerëz nga të dyja anët e kufirit, ndërsa Bangkoku tha se ka përdorur avionë F-16 në sulmet mbi territorin kamboxhian. Autoritetet kamboxhiane nuk kanë konfirmuar shifrat e viktimave të forcave të tyre.
Shkollat në disa rrethe kufitare janë mbyllur, me disa të kthyera në strehimore emergjente.
Në mes të spekulimeve se Tajlanda mund të shpërndajë parlamentin për zgjedhje të parakohshme, kryeministri Anutin Charnvirakul, sipas “Bangkok Post”, ka thënë: “Asnjë veprim i qeverisë për të shpërndarë Dhomën nuk do të ndërpresë operacionet e sigurisë kombëtare në kufirin me Kamboxhian”. Anutin ka sugjeruar se dhoma e ulët mund të shpërndahet para 31 janarit.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Tajlandës në OKB, Cherdchai Chaivaivid, ka dorëzuar letra deri te Sekretari i Përgjithshëm dhe Këshilli i Sigurimit, duke e akuzuar Kamboxhian për “sulme të rënda dhe të paprovokuara ushtarake” në territorin tajlandez, raportoi “Thai Enquirer”. Në letra janë refuzuar pretendimet se është Tajlanda ajo që ka nisur luftimet, duke i quajtur ato “dezinformata të qëllimshme për të shtrembëruar faktet”.
Kamboxhia ka tërhequr atletët e saj nga Lojërat e 33-ta të Azisë Juglindore 2025 në Tajlandë, duke përmendur arsye sigurie, ndërsa autoritetet e saj janë duke “mbledhur prova” për një rast të mundshëm në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë “për shkak të agresionit të armatosur të Tajlandës ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kamboxhias”.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e përleshjeve të kësaj jave, për të cilat ata thonë se shkelin marrëveshjen e paqes të nënshkruar në tetor në Kuala Lumpur në praninë e presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim.
Anadolu nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet dhe kundërpretendimet e të dyja palëve ndërluftuese.
Washingtoni ka shprehur “shqetësim” për dhunën dhe pritet që Trump të flasë me liderët e të dy vendeve.
Fqinjët kanë një mosmarrëveshje të gjatë kufitare që ka çuar në përleshje të përsëritura, përfshirë në korrik, kur të paktën 48 persona humbën jetën. Rreth 18 ushtarë kamboxhianë mbeten të ndaluar në Tajlandë nga incidentet e pesë muajve të fundit.
Kufiri tokësor ka qenë i mbyllur që nga korriku, duke kufizuar lëvizjen ndërkufitare dhe biznesin.
Ndërkohë, Ambasada e Kinës lëshoi një paralajmërim sigurie në Kamboxhia, duke u kërkuar qytetarëve të saj të shmangin zonat kufitare për shkak të përleshjeve të vazhdueshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
