Bota

Përkeqësohet kriza e urisë në Gaza, pasi bllokada çnjerëzore e Izraelit vazhdon

Izraeli vazhdon të kufizojë hyrjen e ushqimit dhe ilaçeve në Gaza, ku rreth 2.4 milionë njerëz përballen me kushte të tmerrshme

Abdulbesar Ademi  | 05.12.2025 - Përdıtësım : 05.12.2025
Përkeqësohet kriza e urisë në Gaza, pasi bllokada çnjerëzore e Izraelit vazhdon

Gaza

Palestinezët në Rripin e Gazës vazhdojnë të përballen me një krizë të urisë që po përkeqësohet, teksa bllokada çnjerëzore e Izraelit vazhdon pavarësisht armëpushimit pas më shumë se dy vitesh gjenocidi, raporton Anadolu.

Në zonën Mawasi në Khan Younis në pjesën jugore të enklavës, vakte të ngrohta u shpërndanë për palestinezët e zhvendosur në një kuzhinë të përbashkët. Palestinezët thonë se emergjenca humanitare në thellim i ka lënë ata gjithnjë e më të varur nga këto vakte dhe ndihma bazë ushqimore për të përmbushur nevojat e tyre të përditshme.

Izraeli vazhdon të kufizojë hyrjen e ushqimit dhe ilaçeve në Gaza, ku rreth 2.4 milionë njerëz përballen me kushte të tmerrshme. Bllokada në enklavën e rrethuar ka çuar që mijëra familje të bëjnë përpjekje për të siguruar edhe nevojat më themelore.

Armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor të këtij viti supozohej të ndalonte luftën, por Izraeli e ka shkelur atë çdo ditë, duke rezultuar në qindra viktima të tjera.

Në gjenocidin në Gaza që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë të paktën 70 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur gati 171 mijë të tjerë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.