Politikë, Bota

Përjashtimi i disa vendeve të Amerikës Latine nga samiti rrezikon të minojë ngjarjen

Meksika, Guatemala dhe Bolivia janë kërcënuar se do të bojkotojnë samitin rajonal

Laura Gamba Fadul  | 20.05.2022 - Përdıtësım : 20.05.2022
Përjashtimi i disa vendeve të Amerikës Latine nga samiti rrezikon të minojë ngjarjen

Bogota

SHBA-ja ka ndezur një mosmarrëveshje rajonale përmes synimit të saj për të përjashtuar Venezuelën, Kubën dhe Nikaraguan nga Samiti i Nëntë i dy Amerikave, i cili do të zhvillohet nga 6 deri më 10 qershor në Los Angeles të Kalifornisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Përjashtimi i tre vendeve nga pjesëmarrja në konferencë për shkak se "ata nuk kanë qeveri demokratike" ka nxitur disa qeveri në rajon të kërcënojnë me bojkotimin e samitit në krye me Meksikën, Guatemalën dhe Bolivinë.

Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador tha se do të bojkotonte samitin nëse presidentët e këtyre vendeve nuk ftohen.

“Nëse ka përjashtime, nëse nuk ftohen të gjithë, atëherë një delegacion nga qeveria meksikane do të shkojë, por unë nuk do të shkoj”, tha Lopez Obrador në një konferencë për media më 10 maj.

Presidenti i Guatemalës, Alejandro Giammattei tha se ai nuk do të marrë pjesë në samitin rajonal të muajit të ardhshëm pas hezitimit të presidentit amerikan Joe Biden për të ftuar Kubën, Nikaraguan dhe Venezuelën.

Bolivia iu bashkua kritikave në rritje për vendimin e administratës së Bidenit. Presidenti Luis Arce njoftoi se do të kushtëzojë pjesëmarrjen e tij pa përjashtime.

"Samiti i Amerikës që përjashton vendet amerikane nuk do të jetë një samit i plotë i Amerikës dhe nëse përjashtimi i popujve vëllezër vazhdon, unë nuk do të marr pjesë", tha Arce.

Lideri i ri i majtë i Hondurasit, Xiomara Castro, gjithashtu ngriti shqetësime. "Nëse nuk jemi të gjitha shtetet, nuk është Samiti i Amerikave”, tha Castro.

Një nga ata që u lanë jashtë, presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, tha të mërkurën se nuk kishte interes të marrë pjesë në konferencë.

"Ne nuk jemi të interesuar të jemi në atë samit", tha Ortega në një aktivitet. "Ai samit nuk lartëson askënd, përkundrazi na ndynë, na bën me baltë. Ne amerikanët latinë duhet të mbrohemi në mënyrë që ata të na respektojnë", tha presidenti i Nikuaraguas.

Në ngjarjen rajonale, e cila mbahet çdo tre vjet që nga viti 1994, temat që do të diskutohen do të përfshijnë pandeminë e COVID-19, krizën klimatike dhe mungesën e qasjes së barabartë në mundësitë ekonomike, sociale dhe politike për më të cenuarit dhe ata që nuk janë të përfaqësuar mjaftueshëm.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.