Për herë të parë, Izraeli pranon shifrat e të vrarëve të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza
Ushtria izraelite për herë të parë ka konfirmuar të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, të cilat deklarojnë se rreth 71 mijë palestinezë janë vrarë në dy vitet e sulmeve të dhunshme dhe të përgjakshme të Izraelit
Kuds
Ushtria izraelite për herë të parë ka konfirmuar të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, të cilat deklarojnë se rreth 71 mijë palestinezë janë vrarë në dy vitet e sulmeve të dhunshme dhe të përgjakshme të Izraelit dhe ka pranuar se numri i vërtetë mund të jetë më i lartë, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite më parë i kishte hedhur poshtë shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, edhe pse ato ishin konfirmuar nga organizatat ndërkombëtare.
Në lajmin e gazetës "Haaretz" thuhet se ushtria izraelite ka analizuar të dhënat për të përcaktuar se sa nga të vrarët në Gaza ishin të armatosur dhe sa ishin civilë dhe se për herë të parë ajo ka pranuar vlerësimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës për vrasjen e rreth 71 mijë palestinezëve.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, 71.667 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i sulmeve izraelite në tetor 2023. Kjo shifër përfshin ata që janë vranë direkt në sulme dhe nuk përfshin ata që kanë vdekur nga uria dhe sëmundjet e shkaktuara nga sulmet.
Ministria regjistron mbi 90 për qind të të vdekurve me emra dhe numra identifikimi, por nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve të armatosur. Organizatat dhe studiuesit ndërkombëtarë kanë shqyrtuar të dhënat e Ministrisë dhe i kanë gjetur ato të besueshme.
Pavarësisht se janë verifikuar nga organizatat ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit afërsisht një vit e gjysmë më parë i cilësoi shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve në Gaza si "mashtruese dhe të pabesueshme".
