Bota

Putini vlerëson përpjekjet e SHBA-së për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës

Putini tha se është dakord me disa pika të planit të Trumpit dhe me disa nuk është dakord, duke e përshkruar procesin si "një punë komplekse"

Elena Teslova  | 04.12.2025 - Përdıtësım : 04.12.2025
Putini vlerëson përpjekjet e SHBA-së për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës

Moskë

Duke vlerësuar përpjekjet e SHBA-së për zgjidhjen e çështjes ukrainase, presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi takimin e 2 dhjetorit me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner si "të nevojshëm dhe të dobishëm", transmeton Anadolu.

Në një intervistë për kanalin televiziv "India Today", Putini tha se takimi 5-orësh ishte i nevojshëm për të diskutuar çdo pikë të propozimeve të paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Sipas tij, plani bazohet në marrëveshjet nga samiti Rusi-SHBA në Alaskë në muajin gusht. "Ajo që sollën kolegët tanë amerikanë, në një mënyrë ose në një tjetër, bazohej në marrëveshjet që arritëm gjatë takimit tim me presidentin Trump në Alaskë. Ne i diskutuam këto çështje në takimin në Anchorage", tha Putini.

Ai vlerësoi se Trump po kërkon konsensus për Ukrainën, por shtoi se "kjo është një detyrë e vështirë". Putini tha se është dakord me disa pika të planit të Trumpit dhe me disa nuk është dakord, duke e përshkruar procesin si "një punë komplekse".

I pyetur nëse plani me 28 pika është ende i vlefshëm, Putini tha se "pikërisht këto pika po diskutohen". "Thjesht, ata i ndanë këto 28 pika, mendoj 27 pika, në katër paketa. Dhe ata propozuan që të diskutojmë këto katër paketa. Por, në thelb këto janë të njëjtat pika", theksoi presidenti rus.

Duke komentuar qëndrimin e BE-së, Putini tha se evropianët duhet të angazhohen në procesin e zgjidhjes në vend që ta pengojnë atë. Ai kujtoi se në fillim të konfliktit, Moska propozoi që Kievi të tërheq forcat ukrainase nga Donbasi për të shmangur përballjen ushtarake, por Ukraina zgjodhi të kundërtën.

"Ne menjëherë i thamë Ukrainës, trupave ukrainase, njerëzit nuk duan të jetojnë me ju, ata dolën të votojnë në një referendum, votuan për pavarësi, tërhiqni trupat tuaja dhe nuk do të ketë veprime ushtarake. Jo, ata preferuan të luftojnë. Tani ata e kanë futur veten në një skaj", tha Putini.

Ai argumentoi se "Rusia do të çlirojë Donbasin dhe Novorosian ose me mjete ushtarake ose ndryshe". "Gjithçka varet nga kjo. Ose do t'i çlirojmë këto territore me mjete ushtarake ose trupat ukrainase do të largohen nga këto territore dhe do të ndalojnë së luftuari atje", tha presidenti rus.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.