Putini do të vizitojë Kazakistanin në fund të majit për samitin e bllokut euroaziatik
Kremlini thotë se Putini pranoi ftesën e presidentit të Kazakistanit, Tokayev për të kombinuar vizitën shtetërore me samitin ekonomik rajonal
Moskë
Presidenti rus, Vladimir Putin do të zhvillojë vizitë zyrtare në Kazakistan në fund të majit, tha Kremlini, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të Kremlinit, presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev e ftoi Putinin të zhvillojë vizitë shtetërore në Kazakistan në lidhje me takimin e ardhshëm të Këshillit të Lartë Ekonomik Euroaziatik në Astana në fund të majit.
"Vladimir Putini konfirmoi se do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Lartë Ekonomik Euroaziatik që do të mbahet në fund të majit në Astana. Kassym-Jomart Tokayev e ftoi presidentin e Rusisë të zhvillojë vizitë shtetërore në Kazakistan lidhur me pjesëmarrjen në këtë ngjarje. Ftesa e tij u pranua me mirënjohje", tha deklarata.
Dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu mbi zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet ndërkombëtare, tha Kremlini.
Këshilli i Lartë Ekonomik Euroaziatik është organi drejtues i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU), një organizatë rajonale bashkëpunimi ekonomik që përfshin disa shtete euroaziatike. I themeluar në janar 2015, EAEU përfshin Armeninë, Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgistanin dhe Rusinë.
