Bota

Putini do të bëhet udhëheqësi i parë rus që viziton Alaskën, e cila në vitin 1867 iu shit SHBA-së

Putin, i cili planifikon të takohet me presidentin amerikan Trump më 15 gusht për të diskutuar mbi çështjen e Ukrainës dhe marrëdhëniet dypalëshe, do të bëjë udhëtimin e tij të parë në SHBA pas shumë vitesh

Ali Cura  | 11.08.2025 - Përdıtësım : 12.08.2025
Putini do të bëhet udhëheqësi i parë rus që viziton Alaskën, e cila në vitin 1867 iu shit SHBA-së

Moskë

ALI CURA

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të bëhet udhëheqësi i parë rus që do të vizitojë Alaskën, gadishullin që SHBA-ja e bleu nga Perandoria Ruse në vitin 1867, raporton Anadolu.

Putin, i cili planifikon të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump më 15 gusht për të diskutuar mbi çështjen e Ukrainës dhe marrëdhëniet dypalëshe, do të bëjë udhëtimin e tij të parë në SHBA pas shumë vitesh.

Edhe pse Nikita Hrushov, Leonid Brezhnjev, Mikhail Gorbachev, Boris Jelcin dhe Dmitry Medvedev kanë vizituar SHBA-në në të kaluarën, Putini do të bëjë histori si udhëheqësi i parë rus që viziton Alaskën.

E zbuluar në vitin 1732 nga dy eksplorues, Mikhail Gvozdev dhe Ivan Fedorov, Alaska filloi të shfrytëzohej nga tregtarët në vitet e mëvonshme. Fillimisht territor rus, rajoni siguronte të ardhura për shtetin rus përmes tregtisë së gëzofit. Në vitin 1799, në rajon u themelua Kompania Ruso-Amerikane.

Gjatë Luftës së Krimesë, kostot e menaxhimit dhe mbrojtjes së një rajoni kaq të largët dhe gjeopolitikisht të ndjeshëm rezultuan se i tejkalonin fitimet e mundshme.

Ideja e shitjes së Alaskës u propozua për herë të parë në vitin 1857 nga Knez Konstantin Nikolayevich, vëllai i Car Aleksandër II të Rusisë. Më vonë, me miratimin e Car Aleksandër II, Alaska iu shit SHBA-së më 30 mars 1867. Në atë kohë, SHBA-ja u pagoi rusëve 7.2 milionë dollarë për afërsisht 1.518.800 kilometra katrorë. Kjo shumë vlerësohet të jetë më shumë se 150 milionë dollarë në vlerën e sotme.

SHBA-ja e bleu Alaskën sepse e konsideruan atë si potencial strategjik ashtu edhe ekonomik. Sekretari i atëhershëm i Shtetit i SHBA-së, William H. Seward, u kritikua nga shumë amerikanë për nxitjen e blerjes së një territori të largët dhe në dukje të padobishëm, i përbërë vetëm nga akulli dhe kjo u quajt "Marrëzia e Seward (Seawrd's Folly)".

Vite më vonë, kur u bë e qartë se Alaska zotëronte ar, naftë, gaz natyror, peshkim dhe vlerë strategjike, këto kritika u komentuan si "blerja më fitimprurëse e tokës nga SHBA-ja".


- Kufiri që ndan Rusinë dhe SHBA-në, një pikë kthese në kohë

Distanca nga Alaska e SHBA-së, përtej Ngushticës së Beringut, deri në rajonin Chukotka të Rusisë është 86 kilometra. Kufiri midis dy vendeve shtrihet 3.8 kilometra në mes të Ishullit të Madh Diomede të Rusisë (Ratmanov) dhe Ishullit të Vogël Diomede të SHBA-së.

Ky rajon, i cili formon kufirin midis Rusisë dhe SHBA-së, është pikë kyçe ku ndryshojnë zonat kohore. "Vija Ndërkombëtare e Datës" kalon këtu. Gjatë samitit Putin-Trump, i cili do të zhvillohet brenda SHBA-së më 15 gusht 2025, kalendarët në Rusi, pikërisht përtej kufirit, do të tregojnë 16 gusht 2025.

Pavarësisht kësaj distance të shkurtër midis dy vendeve, diferenca kohore është 21 orë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın