Putin: Stambolli është një nga qendrat kryesore të biznesit dhe kulturës në Euroazi
"Qendrat kryesore të rritjes ekonomike dhe rrugët e rëndësishme të transportit dhe tregtisë janë të përqendruara në Euroazi. Stambolli është një nga qendrat kryesore të biznesit dhe kulturës në Euroazi", theksoi Putin
 
                Stamboll
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke theksuar se rritja ekonomike është e përqendruar në Euroazi, ku kryqëzohen rrugët e rëndësishme të transportit dhe tregtisë, tha se "Stambolli është një nga qendrat kryesore të biznesit dhe kulturës në Euroazi", transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Kremlini është përfshirë mesazhi i presidentit Putin, për pjesëmarrësit e Forumit Ekonomik Euroaziatik të Veronës i cili këtë vit mbahet për herë të 18-të.
Duke vënë në dukje se Forumi Ekonomik Euroaziatik i Veronës ka evoluar gjatë viteve në një aktivitet i rëndësishëm ku marrin pjesë politikanë, sipërmarrës, shkencëtarë dhe ekspertë, Putin tha: "Takimet e mbajtura në kuadër të forumit ofrojnë mundësi për diskutimin e thelluar të problemeve urgjente në ekonominë globale dhe kontribuojnë në zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar".
Putin vuri në dukje se aktivitetet e forumit janë me rëndësi të veçantë në kalimin në një rend botëror shumëpolar. "Qendrat kryesore të rritjes ekonomike dhe rrugët e rëndësishme të transportit dhe tregtisë janë të përqendruara në Euroazi. Stambolli është një nga qendrat kryesore të biznesit dhe kulturës në Euroazi", theksoi Putin.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e temës së forumit të këtij viti, duke vënë në dukje se forumi do të trajtojë zgjerimin e bashkëpunimit në energji, ekonominë dixhitale, investimet, inovacionin shkencor dhe teknologjik, si dhe transportin dhe logjistikën.
Forumi, i cili filloi në Pallatin Çırağan në Stamboll të Turqisë dhe do të vazhdojë edhe nesër, organizohet nga organizata joqeveritare italiane "Associazione Conoscere Eurasia".
Forumi i këtij viti organizohet nën temën "Energji e Re për Realitete të Reja Ekonomike" (New Energy for New Economic Realities) dhe mban sloganin "Arti i Inovacionit" (The Art of Innovation).
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni. 
             
 
             
                                     
                                     
                                     
                                     
                                    