Putin: Rusia e gatshme t'u përmbahet kufizimeve sipas Traktatit "New START" për një vit pas skadimit
Presidenti rus pohoi se kjo do të jetë e zbatueshme vetëm nëse SHBA-ja vepron në një mënyrë të ngjashme dhe "nuk ndërmarrin hapa që dëmtojnë ose shkelin ekuilibrin ekzistues të potencialeve të parandalimit"

Stamboll
Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi i tij është gati t'u përmbahet kufizimeve qendrore sasiore sipas Traktatit "New START" midis Moskës dhe Washingtonit për një vit pas skadimit të tij në fillim të vitit 2026, raporton Anadolu.
Gjatë një takimi me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë të Rusisë në Moskë, Putin tha se Traktati "New START" do të skadojë më 5 shkurt 2026, duke shënuar "rrëzimin e menjëhershëm të marrëveshjes së fundit ndërkombëtare që kufizon drejtpërdrejt aftësitë e raketave bërthamore".
Putin pohoi se një refuzim i plotë i marrëveshjes së nënshkruar në prill 2010 do të ishte i gabuar dhe "shkurtërpamës" nga shumë këndvështrime, dhe gjithashtu do të ndikonte negativisht në qëllimet e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Ai tha se Moska beson se është e justifikuar të përpiqet të ruajë "status quo"-në e vendosur nga Traktati "New START" gjatë kësaj "periudhe mjaft të trazuar" për të shmangur "provokimin e një gare të mëtejshme strategjike të armëve dhe për të siguruar një nivel të pranueshëm parashikueshmërie dhe përmbajtjeje".
"Prandaj, Rusia është e përgatitur të vazhdojë t'u përmbahet kufizimeve qendrore sasiore të Traktatit 'New START' për një vit pas 5 shkurtit 2026", u shpreh Putin, duke shtuar se më vonë do të marrin një vendim për vazhdimin e kufizimeve bazuar në një analizë të situatës.
"Ne besojmë se kjo masë do të jetë e zbatueshme vetëm nëse SHBA-ja vepron në një mënyrë të ngjashme dhe nuk ndërmarrin hapa që dëmtojnë ose shkelin ekuilibrin ekzistues të potencialeve të parandalimit", vuri në dukje Putin.
Presidenti rus tha gjithashtu se vendi i tij është i aftë t'i përgjigjet çdo "kërcënimi ekzistues ose në zhvillim" dhe se do ta bënte këtë jo vetëm me fjalë, por edhe përmes "masave ushtarako-teknike".